English

“Përrallat e Hofmanit”, Inva Mula dhe stafi i operas nesër konferencë me gazetarët

Tiranë, 21 shtator, NOA - Opera “Përrallat e Hofmanit” e kompozitorit francez Zhak Ofenbah rikthen në Tiranë pas 20 vjetësh për të interpretuar në skenën shqiptare, yllin e operas shqiptare në botë, Inava Mulën.

E ftuar nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, ajo iu përgjigj kërkesës për të realizuar premierën absolute, operan fantastike “Përrallat e Hofmanit”, të Ofenbah, një nga titujt prestigjiozë të repertorit operistik Botëror.

Vepra komplekse në formën e një triptiku me prolog dhe epilog, do të angazhojë në skenë një numër të madh interpretuesish, mbi 20 solistë shqiptarë, 50 koristë dhe 60 instrumentistë të orkestrës si dhe një staf të gjerë artistik të teatrit.

Sipas traditës më të mirë botërore, Inva Mula do të interpretojë tre rolet kryesore femërore: Olimpian, Antonia dhe Xhuljetën, një rol të cilin e realizon për herë të parë në karrierën e saj.

Inva Mula do të interpretojë në premierën e datës 1 dhe 3 tetor, ndërsa shfaqjet e tjera të “përrallave të Hofmanit” përkatësisht në datat 5 dhe 7 tetor do të interpretohen kryesisht nga protagonistët shqiptarë, ku përmenden solistët Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri, Eriona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Erlind Zeraliu, Armando Likaj.

Lidhur me përkushtimin artistik për të sjellë një premierë të vërtetë dhe absolute në skenën tonë të “Përrallave të Hofmanit”, nesër në orën 11.00, do të zhvillohet në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit një konferencë për shtyp, ku do të marrë pjesë edhe sopranoja Inva Mula, si dhe ministri i TKRS-së, Ferdinand Xhaferaj dhe drejtori i TOB-it, Zhani Ciko.

Produksioni i operas franceze i është besuar regjisorit francez Stephane Roche, ndërsa orkestra do të dirigjohet nga një tjetër francez Andre Bernard.

Skenografia e operas janë krijuar nga skenografi francez Nicolas de Lajartre, ndërsa solistë të huaj që do të interpretojnë në këtë premierë janë Luca Lombardo, Nicolas Cavallier, si dhe tenori kanadez Mandrico Tedeschi e sopranoja greke Niki Chaziraki. Për premierën e operas “Përrallat e Hofmanit” të Zhak Ofenbah, Qeveria Shqiptare natyrisht ka dhënë mbështetjen e saj përmes kujdesit të Kryeministrit Berisha, i cili ka akorduar një fond për realizimin e shfaqjes prej 6.000.000 lekësh.

Premiera e datës 1 tetor pritet të ndiqet edhe nga mediat e huaja kryesisht franceze.

mit/NOA
KOMENTE