Tiranë, 21 shtator, NOA - Pas akuzave të mbërritura nga përfaqësues të mazhorancës se po vonon prej katër muajsh emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, ka publikuar sot faktin se e ka emëruar atë.
Lajmi u konfirmua sot paradite nga këshilltari juridik i presidentit, Spiro Peçi, sipas të cilit, “për këtë emërim presidenti ka marrë dhe pëlqimin e vetë anëtarit të Gjykatës Kushtetuese".
Por Peçi nuk e bëri të ditur emrin e kryetarit, duke thënë se emri i tij do të bëhet publik nëpërmjet dekretit përkatës para se presidenti të niset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të marrë pjesë në Sesionin e 65 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ditën e djeshme, kryeparlamentarja Topalli e ka kritikuar në distancë kreun e shtetit lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, duke pohuar se ai po mban peng prej muajsh zgjedhjen e kryetarit të saj.
n.e/NOA