Shkup, 21 shtator, NOA – Partitë shqiptare të opozitës në Maqedoni kanë ngritur shqetësimin se, qeverisja aktuale mund të manipuloj procesin e regjistrimit të popullsisë. Por ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere beson në përgatitjen e institucioneve të Maqedonisë.
Sipas tij, është me rëndësi përgatitja e institucioneve të vendit për procesin e regjistrimit të popullsisë që pritet të bëhet vitin e ardhshëm.
“Përgëzoj institucionet e pushtetit qendror për përgatitjet që bëjnë për të pasur një regjistrim të suksesshëm dhe besoj se regjistrimi i popullsisë do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe do të jetë i pranueshëm nga të gjitha etnitetet që jetojnë në Maqedoni”, tha Fuere.
Nga Partia Demokratike Shqiptare thonë se shqiptarët me të drejtë janë mjaft të shqetësuar me procesin e përgatitjes që po bëhet për regjistrimin e popullsisë nga ana e qeverisë VMRO-BDI.
“Duke pasur parasysh se ky projekt për regjistrim është si produkt i marrëveshjes së Ali Ahmetit dhe Gruevskit nuk kemi aspak dyshim se do të ketë përfundimin që e kanë pasur shumë çështje tjera me rrëndësi për shqiptarët kur këta dy persona “merren vesh””, deklaroi zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi.
Ndërkaq, nga Demokracia e Re thonë se regjistrimi që do të mbahet vitin e ardhshëm do të përjashtoj 450 mijë shqiptarë.
“Ekzistojnë dyshime se a do të mund të regjistrohen mërgimtarët, që sipas disa vlerësimeve janë rreth 400 mijë, po ashtu dyshojmë edhe në mundësinë e regjistrimin e mbi 50 mijë shqiptarëve që nuk kanë nënshtetësi”, deklaroi deputeti i DR-së, Sulejman Rushiti.
Ndërsa, Bashkimi Demokratik për Integrim ka hedhur poshtë këto akuza, duke sqaruar se mërgimtarët mund të regjistrohen nga anëtarët e familjeve të tyre.
NOA-INA