English

Të vërtetat e debatit për romët

Si për romët e Europës, ashtu edhe për romët joevropianë, çelësi është në - arsimim

Nga Ivo Petkovski Cilido që të jetë mendimi juaj për të, nuk mund të thoni se Nicolas Sarkozy iu bishtnon debateve të vështira. Së pari, me vendimin e tij kontravers për ndalimin e perçes ai nxiti debatin rreth Islamit në Europë, ndërsa tash hapi një tjetër kuti me probleme, pas dëbimit të emigrantëve romë nga Franca. Komisioneri për Drejtësi i BE’së, Reding Viviene, e krahasoi Francën e vitit 2010 me Francën e Vichy, gjë që rezultoi me disa komente të ashpra nga Sarkozy, dhe më vonë nga José Manuel Barosso. Edhe Fidel Castro, i cili ka filluar të prononcohet kohëve të fundit, javën e kaluar ndërhyri në debat, duke i quajtur dëbimet “një lloj të Holokaustit racor”. Vetëm Silvio Berlusconi e përkrahi Sarkozy’në – që ndoshta është thikë me dy tehe. Ia vlen të analizohet fakti pse veçanërisht romët krijojnë problematika të tilla politike. Shumica e romëve të dëbuar nga Franca janë qytetarë rumunë. Pasi Rumania është anëtare e re e BE’së, qytetarët e saj janë subjekt i një marrëveshjeje të përkohshme, sipas të cilës, ata kanë të drejtë të mbeten në Francë për vetëm tre muaj nëse nuk punojnë. Prandaj, shumica e romëve që janë larguar kanë qëndruar ilegalisht në Francë. Në vitin 2009, Franca ka dëbuar 11.000 shtetas rumunë (jo romë) me pretekst të njëjtë, duke mos nxitur asnjë reagim nga Brukseli. Ishte konsideruar si diçka e zakonshme. Pse, pra, ky raund i fundit i dëbimeve është ndryshe? Për shkak se romët janë “njerëz pa tokë”, janë persekutuar për një kohë të gjatë dhe kanë qenë viktima të pogromeve të panumërta në tërë Europën, përfshirë edhe Holokaustin. Frika qëndron në faktin se politikat e tilla si kjo e Sarkozy’së mund t’i zgjojnë disa nga instinktet më bazike të Europës, të cilat - teorikisht - gjithmonë gjenden shumë afër sipërfaqes dhe janë të gatshme për të shpërthyer. Ky nuk është skenar i paimagjinueshëm. Politikanët e së djathtës ekstreme në vende si Hungaria dhe Sllovakia shpesh kanë platforma anti-rome, prandaj nëse një euro-fuqi e tillë si Franca e ndjek këtë shembull, kjo mund të shërbejë për t’i legjitimuar pikëpamjet e tyre dhe për t’iu ndihmuar agjendën e brendshme. Problemi lind kur ne vijmë në përfundim se, në rrafshin individual, shumica dërmuese e romëve nuk janë njerëz “pa tokë”. Ata e kanë shtetësinë e vendit të tyre të origjinës, në këtë rast (kryesisht) të Rumanisë dhe Bullgarisë. Zbulimi i një memorandumi i cili e urdhëron policinë franceze për t’i shënjestruar kampet rome në mënyrë të posaçme dhe retorika e Sarkozy’së, kanë ngjallur tensione të panevojshme. Megjithatë, dimensioni etnik është i rëndësisë dytësore, duke u nisur nga fakti se nivelet e arsimimit dhe trajnimit te romët janë për shumë shkallë nën mesataren europiane, prandaj edhe nivelet e kriminalitetit në komunitetet rome janë më të larta. Mbase kjo është arsyeja e vërtetë pse memorandumi ka kërkuar nga policët francezë që t’i shënjestrojnë kampet, e jo urrejtja e thellë etnike. Deri në një masë, Sarkozy ka të drejtë kur vë në dukje se disa nga përgjegjësitë për problemet me komunitetet rome të Francës qëndrojnë tek Qeveritë respektive të Rumanisë, Bullgarisë dhe vendeve tjera prej nga vijnë romët. Nëse gjatë dekadave të fundit në këto shtete do të kishte pasur më shumë politika për fuqizimin e romëve, atëherë romët në vitin 2010 mund të kishin qenë më pak të prirur për të migruar, por edhe kur nëse do të migronin, ata do të mund t’iu ofronin më shumë shoqërive ku kanë migruar. Por, a është e mundur që dështimi për t’u integruar me sukses t’iu faturohet krejtësisht vendeve prej nga vijnë romët? Nuk jam i sigurt. Vlerësohet se 75 për qind e romëve të Europës jetojnë nën nivelin e varfërisë. Diskriminimi – si institucional, ashtu edhe shoqëror - luan rol të rëndësishëm në këtë shifër. Po ashtu, është shumë lehtë për ta ndërtuar një rrëfim në të cilin romët shihen vetëm si viktima pasive, dhe pjesa më e madhe e prezantimit medial të kohëve të fundit të dëbimeve (bashkë me një pjesë të retorikës së BE’së), ka pasur tendenca drejt këtij qëndrimi. Mund të jetë me vlerë të shtrohet pyetja se si mund të kontribuojnë komunitetet rome në përparimin e tyre. Nuk ka dyshim se paragjykimet e rrënjosura thellë ndaj romëve duhet të adresohen, prandaj veprimet e Sarkozy së paku e kanë shtyrë këtë çështje më tej në agjendën e BE’së. Por, romët e Europës gjithashtu kanë nevojë të marrin përgjegjësi për integrimin e vet në rrjedhat kryesore, që mund të nënkuptojë heqjen dorë nga disa praktika të tyre kulturore dhe historike. Zërat e djathtë gjithmonë do të jenë në gjendje ta përmendin kriminalitetin dhe problemet sociale që sjellin komunitetet rome - për shkak se ata e bëjnë këtë. Shkaqet mund të jenë komplekse, por manifestimet nuk janë të tilla. Janë këto manifestime që jehojnë tek votuesit. Në qoftë se Komisioni Europian e huq këtë trik, ai do të vazhdojë të shihet si i paefektshëm dhe tepër i butë, ndërsa politikanët si Sarkozy do të vazhdojnë të korrin dividendët politikë duke e sfiduar atë haptas. Në nivelin europian duhet të ketë ndershmëri në lidhje me problemet nga të cilat komunitetet rome jo vetëm që vuajnë, por edhe i shkaktojnë. Nëse kjo çështje anashkalohet për hir të korrektësisë, atëherë ajo do të shpërthejë në formën e ksenofobisë. Si për romët e Europës, ashtu edhe për romët joevropianë, çelësi është në - arsimim.

”The Guardian"

KOMENTE