Vlorë, 21 shtator, NOA – Kushtet jo të mira të higjenës dhe ndotja e ujit të pijshëm për shkak të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Vlorë, kanë bërë që orët e fundit të rritet ndjeshëm numri i vogëlushëve të shtruar në spitalin Pediatrik të qytetit.
Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se dhjetëra fëmijë deri në moshën 3 vjeç janë shtruar në këtë spital pasi kanë shfaqur shqetësime të ndryshme në aparatin e tretjes të shoqëruara me diarre,, të vjella dhe temperaturë.
Mjekë të Pediatrisë shprehen se janë duke punuar në bashkëpunim edhe me institutin e Higjienës në Tiranë për përballimin e situatës, sipas tyre e pazakontë në këtë stinë.
Burime nga spitali i Vlorës bëjnë të ditur se po merren të gjitha masat për të krijuar mundësinë e shtimit të kapaciteteve në repartin infektiv, ku mësohet se ka patur edhe aty fluks shtrimesh për mosha më të rritura.
Për të shmangur mundësinë e përhapjes së ndonjë epidemie, që tashmë është edhe më lehtë e përhapshme për shkak se për fëmijët ka nisur edhe viti shkollor, mjekët e spitalit garantojnë se do ta përballojnë këtë situatë.
Gjithsesi mësohet se ende nuk është paraqitur ndonjë rast që rrezikon seriozisht jetën e pacientëve në këtë spital.
mit/NOA