Nju Jork, 22 shtator, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë inkurajuar Athinën zyrtare të njohë pavarësinë e Kosovës si dhe të japë kontributin e saj për arritjen e një dialogu mes Serbisë dhe Kosovës.
Sipas mediave kosovare zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden në takimin me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu ndër biseda të tjera janë fokusuar edhe në çështjen e Kosovës, duke iu referuar edhe opinionit të GJND-së në favor të saj si dhe miratimit të rezolutës së përbashkët mes BE-së dhe Serbisë në OKB.
Bajden në këtë takim ka evidentuar se është e nevojshme që popujt e Kosovës dhe Serbisë të integrohen plotësisht në Evropë.
Në këtë kontekst ai i ka kërkuar zotit Papandreu të forcojë pozitat e Greqisë në rajonin e Ballkanit, pasi duke qenë një vend i BE-së, Greqia i plotëson të gjitha kushtet e një fuqie rajonale, që do të mundësonte edhe më fort në sigurinë dhe prosperitetin e rajonit.
Zëvedëspresidenti amerikan vlerësoi në këtë kontekst edhe nismën e Greqisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, deri në vitin 2014.
Mes dy liderëve u diskutuan edhe çështje të tjera si zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Shkupin lidhur me emrin e Maqedonisë, për të cilin Greqia zyrtare duket se s’lëshon pe.
mit/NOA