Nju Jork, 22 shtator, NOA – Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, për çështjet e Evropës dhe Azisë, Philip Gordon shprehu sot në takimin e tij me ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto vlerësimet më të larta për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara si dhe angazhimin e shtetit amerikan për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Ky takim i ministrit Haxhinasto me ndihmëssekretarin amerikan Gordon erdhi në kuadër të punimeve të Sesionit të 65-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gordon shprehu falenderimet e tij për ndihmën që Shqipëria është duke dhënë në Afganistan si dhe për punën lotuese, që vendi ynë ka bërë deri në këtë moment për çështjen e Kosovës, si përpara ashtu edhe pas daljes së vendimit të GJND-së.
"Pa rolin që ka luajtur Shqipëria nuk do ishim këtu ku jemi sot në konsolidimin e shtetit të Kosovës", mësohet të jetë shprehur në këtë takim zoti Gordon.
Ministri Haxhinasto dhe ndihmëssekretari amerikan Gordon shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në përpjekjet që Qeveria është duke bërë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor si dhe ruajtjes së tendencës pozitive në rritjen ekonomike të vendit.
Ata u ndalën edhe në zhvillimet në rajon, ku diskutuan mbi progresin e bërë deri tani në drejtim të konsolidimit të paqes dhe sigurisë si dhe të proceseve integruese në institucionet Euro-atlantike.
Në këtë drejtim u vlerësuan përpjekjet që Shqipëria është duke ndërmarrë për krijimin e një klime të re bashkëpunimi mes vendeve të rajonit përfshi edhe Serbinë, me perspektivën e qartë të integrimit evropian. Ndihmëssekretari amerikan Philip Gordon riafirmoi edhe njëherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat e ndërrmara nga shteti shqiptar duke vlerësuar gjithashtu rolin e Shqipërisë, si një model bashkëpunimi me vendet e tjera.
mit/NOA