English

Hapet tunel përmes lokalit për të grabitur bankën "Intesa San Paolo" në Tiranë

Lexoni detajet e ngjarjes

Tiranë, 22 shtator, NOA – Një tunel i padukshëm mes dyshemesë së lokalit dhe bankës që ndodhej në pallatin e tyre, do t’i çonte tek mjediset e saj e kështu do të mund të vidhnin të qetë paratë që gjendeshin nëpër sirtarë.

Ky ka qenë plani që kishin thurur në mendjen e tyre dhe kishin nisur madje për ta vënë në jetë duke gërmuar, dy persona, plani i të cilëve ka rënë në vesh të forcave të policisë dhe është ndaluar menjëherë prej tyre pa mundur të vihet në zbatim.

Bëhet fjalë për dy të ndaluar duke u gdhirë mëngjesi i sotëm nga forcat e policisë së Tiranës, të cilat siç bëjnë me dijeni në mënyrë paraprake për agjencinë e Lajmeve NOA, kanë mundur të ndalin një tentativë për grabitjen e filialit të bankës "Intesa San Paolo" që gjendet në zonën e 9-katësheve në Tiranë.

Kështu, forcat policore kanë zbuluar një tunel që po hapej nga autorët, të cilët tashmë ndodhen nën pranga, pasi u kapën në flagrancë gjatë natës në momentin që po gërmonin për hapjen e tunelit.

Por ende nuk bëhen të ditur emrat e të ndaluarve, për arsye hetimi, por thuhet paraprakisht se ata për të realizuar planin e grabitjes së bankës, kishin marrë me qera prej 5 muajsh një lokal pranë bankës dhe që aty kishin nisur gërmimin nën tokë për të mbërritur më pas në mjediset e bankës "Intesa SanPaolo".

Ndërkaq, forcat policore ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e duhura hetimore rreth kësaj ngjarje aspak të zakontë...(vijon).

n.e/NOA

KOMENTE