Nju Jork, 22 shtator, NOA – Eshtë koha e duhur që krahas nënshkrimit sa më të shpejtë të marrëveshjeve tashmë në proces midis mes Shqipërisë dhe Omanit, siç është ajo për trafikun ajror, të përgatiten edhe marrëveshje të tjera me synim plotësimin e kuadrit të bashkëpunimit ekonomik, të tilla si ajo e eliminimit të taksimit të dyfishtë dhe e mbrojtjes së ndërsjellë të investimeve.
Një fakt i tillë u theksua mes takimit që ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto zhvilloi me kryetarin e delegacionit të Omanit në OKB, Sayyid Badr bin Hammad Al Busaid.
Gjatë takimit u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira ekzistuese midis dy vendeve dhe u nda mendimi për nevojën e intensifikimit e konkretizimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Ministri Haxhinasto sugjeroi fillimin sa më parë të bisedimeve për lehtësimin e lëvizjes së ndërsjellë të shtetasve, duke filluar me heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike e të shërbimit.
Ai e njohu Al Busaid me ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe politikën e saj të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, në funksion të synimit të përbashkët të integrimit evropian.
Por gjatë takimit, bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamjet e mendimet e tyre lidhur me çështjen e Kosovës.
Ministri Haxhinasto shprehu besimin se pas shpalljes së Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, vendet e ndryshme do të reflektonin pozitivisht duke e njohur edhe formalisht këtë realitet të pakthyeshëm, duke dhënë kështu një kontribut të vyer jo vetëm për popullin kosovar por edhe për stabilitetin e prosperitetin e gjithë vendeve të rajonit.
n.e/NOA