Prindi shqiptar u denoncua për hyrje të paligjshme në territorin e Italisë
Romë, 23 Shtator 2010 NOA – Qëllimi i vetëm i një prindi shqiptar ishte të shuante mallin dhe merakun për të bijën e sëmurë. Ndaj nuk duroi dot më, iku klandestin në Itali dhe atje vrapoi drejt spitalit ku gjendej e bija.
Por me të kaluar pak orë që i gjendej vajzës së sëmurë pranë, e denoncojnë për emigracion klandestin.
Historia, ka për protagonist një baba 45-vjeçar nga Shqipëria dhe vajzën e tij. Ajo, prej disa javësh gjendet në spitalin e Careggit në Itali, për shkak të një sëmundjeje.
Mbrëmjen e djeshme në orën 22.00, pas një rruge të gjatë dhe të vështirë duke hyrë klandestin përmes detit nga Shqipëria, ka arritur të shkojë deri në spitalin ku gjendej e bija, në shoqërinë e të ëmës 36 vjeçare.
Kur ka vajtur të përqafojë vajzën e sëmurë, nuk e ka pritur që pikërisht ish-e shoqja të njoftonte policinë dhe të denonconte se ai kishte ardhur në mënyrë klandestine.
Në pak minuta spitali u mbush me forca policore të cilët vunë në pranga 45 vjeçarin.
Babai i rraskapitur nga rruga nuk arriti të çmallet me të bijën sepse policët i vendosën prangat dhe e dërguan në kuesturë.
Sipas të dhënave policore, denoncimi nga ish bashkëshortja kishte ardhur për shkak se prej pak kohësh çifti ishte ndarë për mosmarrëveshje dhe prania e ish burrit e kishte nevrikosur 36 vjeçaren aq sa ndërmori hapin e paprecedentë.
Ditën e sotme, 45 vjeçari do të riatdhesohet sërish në Shqipëri, me një vendim që ka marrë Zyra e Emigracionit.
e.r/NOA