English

“Kënga e mjellmës” në Teatrin e Metropolit

Tiranë, 22 shtator, NOA - Pas suksesit që korri në festivalin e Monodramës në Vlorë, vjen në Teatrin e Metropolit, Ilirian Ali me pjesën “Kënga e Mjellmës”. Një monodramë për artistin dhe vendin e tij në shoqëri.

Një këngë e bukur, shkruar me dashuri nga Antoni P. Çehov për sakrificat dhe brengat e artistit, një lutje për artdashësit, që të ndiejnë nga afër çudinë dhe magjinë e skenës, në një rrëfim poetik nga artisti për artin skenik.

Shfaqja do të jepet në datat 25, 26 dhe 27 shtator në sallën Çehov, një përplasje e bukur kjo, që bashkon jo rastësisht emrin e këtij dramaturgu të mençur me një teatër të ri, por me vizione dhe ambicie jo të pakta.

Për aktorin Ilirian Ali, një rol në monodramë është shumë i vështirë.

“Në monodramë luan vetëm, flet me vete, të gjithë skenën e ke vetëm, mund të komunikosh ose jo me objektet, mund të komunikosh edhe me publikun, por gjithsesi do të përballosh vetëm gjithë ngjarjen në tërë hapësirën e skenës. Pa dyshim që në një shfaqje, dramë apo komedi, ku ka shumë personazhe është më e lehtë”, thotë protagonisti.

Sipas tij, komedia ka një galeri të tërë personazhesh, karakteresh dhe përgjegjësia ndahet te secili aktor.

“Por monodrama ka një tjetër rëndësi sepse evidenton vlera”, shton më tej, Ali. Monodrama “Kënga e Mjellmës” është një himn për aktorin.

Me të drejtë poeti shkruan: “Aktor do të thotë dritë, brengë, hidhërim, maraz i hidhur dhe psheretimë, rënkim i thellë. Të duash artin nuk do të thotë asgjë por, të duash artistin është më pak artistike por, jep rezultat të sigurt.

Çehov do të flasë shqip në sallën Çehov në Teatrin e Metropolit.

Shfaqja ka për regjisor Jorgaq Tushen dhe skenat e saj janë realizuar nga skenografi Petraq Stefani, ndërsa muzika nga Artur Dhamo.

m.s/mit/NOA
KOMENTE