Tiranë, 22 Shtator 2010 NOA – Dy nga policët që u vranë në plazhin e Durrësit janë viktima të kolegëve të vet dhe jo të ekzekutuar nga Dritan Dajti, pretendoi sot në seancë gjyqësore mbrojtja e tij ligjore.
Procesi gjyqësor në ngarkim të shumëkërkuarit Dritan Dajtit, të afërmit të tij Ergest Xhoxhi, si dhe efektivit Mariglen Mucca ka vazhduar sot me provat e mbrojtjes. Avokatja e Dritan Dajtit ka kërkuar sot thirrjen si dëshmitarë të 50 personave, ku pjesa më e madhe e tyre kanë qenë efektiva policie.
SPECIALE "MASAKRA E DAJTIT"Gjatë leximit të provave të saj, Ledia Rama është shprehur se vrasja e viktimës Ledion Mara, si dhe e dy efektivave të policisë Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani nuk janë kryer prej tij, po prej policisë.
Ndërkohë avokati mbrojtës akuzoi se policia ka zhdukur prova. Në fund të provave të saj avokatja pretendoi se vrasja e dy efektivave të tjerë nga ana e Dajtit është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme.
Seanca gjyqësore është shtyrë për ditën e nesërme në orën 13:00, ku pritet që dy të pandehurit e tjerë të paraqesin provat e tyre.
Gjatë seancës ishte i pranishëm edhe vetë i pandehuri Dritan Dajti. Ngjarja për të cilën akuzohen tre të pandehurit ka ndodhur më 7 gusht të vitit të kaluar, ku katër efektivat e GOS u ekzekutuan gjatë një operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit Dajti në pistën “Iliria” Durrës.
e.r/NOA