Tiranë, 23 Shtator 2010 NOA – Duke nisur nga muaji janar i vitit të ardhshëm, çmimi i cigareve do të rritet me dhjetë për qind më shumë ose të paktën 20 lekë për çdo paketë.
Projekt-vendimi që pritet të kalojë për miratim pa kundërshtime në Këshillin e Ministrave, është marrë nga Ministria e Financave në konsultim edhe me Institutin e Shëndetit Publik. Ky i fundit thotë se shpreson që kjo rritje çmimi të ndikojë në uljen e numrit të duhanpirësve ose së paku në reduktimin e pirjes ditore të duhanit.
Studimet e kryera nga OBSH, tregojnë se rritja e çmimit të cigareve me 10 për qind do të ulë në masën 8 për qind numrin e duhanpirësve të rinj.
Në Shqipëri aktualisht numërohen afro një milionë duhanpirës ose afro një e treta e popullsisë, apo rreth gjysma e popullsisë me moshë mbi 18 vjeç.
Gjithsesi mes duhanpirësve gjenden edhe 200 mijë femra e për më tepër, disa mijëra duhanpirës identifikohen në moshat 14 deri 18 vjeç që janë të mitur.
Rritja e çmimit të duhanit, një praktikë ndërkombëtare që zbatohet deri dy herë në vit, edhe në Shqipëri po zbatohet rëndom si nga vetë kompanitë ashtu dhe nga shteti, kurse cilësia e cigareve zor se përballet me kontroll kualiteti.
Mbi 300 milionë euro është shuma që përfitohet çdo vit nga kompanitë për shitjen e duhanit shqiptarëve.
Që prej vitit 2006 një ligj u miratua për të ndaluar pirjen e duhanit në mjedise publike por ai u zbatua vetëm për pak javë dhe ashtu si në Greqinë fqinje ku mbi pesë herë ka dështuar, edhe tek ne zbatimi i mëtejshëm nuk pati sukses.
e.r/NOA