English

Pazari i të korruptuarve

Negociatorët kosovarë nëpërmjet negociatave me Serbinë fitojnë amnisti për korrupsionin enorm të tyre. Meqë pasuria s’iu vjen nga pagat, ata janë të korruptuar. Meqë BE-ja i ka dosjet për ta por s’vepron, ata janë të shantazhuar. BE-ja e do mbi të gjitha stabilitetin rajonal dhe destabilizuesi më i madh potencial në rajon konsiderohet Serbia. Paradigma e stabilitetit gjithsesi e favorizon Serbinë në kurriz të fqinjëve të saj. Në këtë pikë funksionalizohen politikanët kosovarë që hyjnë në negociata me Serbinë.

Nga Albin Kurti*

Kosova nuk ka nevojë që të hyjë në negociata me Serbinë për veten e saj. Politikanët e Kosovës nuk do të duhej të kishin të drejtë të hyjnë në negociata me Serbinë për Kosovën. Pas shpalljes së pavarësisë Kosovës i nevojitet sovraniteti dhe zhvillimi ekonomik. Vendi i fundit i imagjinueshëm ku Kosova mund t’i realizojë këto janë negociatat me Serbinë. Megjithatë fillimi i këtyre negociatave pritet sepse duket që edhe krerët institucionalë e partiakë të Kosovës kanë nevojë për këto negociata. Për dallim nga populli i Kosovës që s’fiton gjë, kjo nuk mund të thuhet edhe për zyrtarët e lartë të shtetit e partive.

Negociatorët kosovarë nëpërmjet negociatave me Serbinë fitojnë amnisti për korrupsionin enorm të tyre. Meqë pasuria s’iu vjen nga pagat, ata janë të korruptuar. Meqë BE-ja i ka dosjet për ta por s’vepron, ata janë të shantazhuar. BE-ja e do mbi të gjitha stabilitetin rajonal dhe destabilizuesi më i madh potencial në rajon konsiderohet Serbia. Paradigma e stabilitetit gjithsesi e favorizon Serbinë në kurriz të fqinjëve të saj. Në këtë pikë funksionalizohen politikanët kosovarë që hyjnë në negociata me Serbinë. BE-ja e do Serbinë të qetë në ecjen e saj të lëmuar drejt Brukselit. Për këtë qëllim BE-së i duhen jo pak dakordime të Serbisë me Kosovën, e ku tema është vetë Kosova. Negociatorët kosovarë, në mënyrë që të mos përndiqen nga BE-ja ofrohen si lehtësues të këtij procesi ku Serbia faktorizohet karshi Kosovës përgjatë defaktorizimit të saj karshi BE-së. Negociatat me Serbinë janë mënyra se si pushtetarët e Kosovës mbijetojnë në pushtet në llogari të shtetit gjithnjë e më të dobët të Kosovës. Ata bëjnë pazar me Serbinë për Kosovën por edhe ofrohen në pazar për këtë pazar.

Lehtësia me të cilën politikanët e Kosovës hyjnë në pazare me Serbinë për Kosovën vjen nga vështirësia e tyre që të kundërshtojnë çfarëdo sugjerimi sado të butë të ndërkombëtarëve. Pasuria e tyre i ka bërë shumë të fuqishëm karshi qytetarëve të Kosovës, por ama shumë të brishtë karshi ndërkombëtarëve. Servil ndaj ndërkombëtarëve e mizor ndaj qytetarëve – ky është politikani i sotëm i Kosovës. Ai nuk e di se sa duhet të jetë i dëgjueshëm e i nënshtruar ndaj ndërkombëtarëve, prandaj ai gjithmonë është edhe më i dëgjueshëm e më i nënshtruar sesa që është e nevojshme për të. Diçka ngjashëm sikur ai gardiani i keq në burg që i zbath këpucët dhe në maje të gishtave iu afrohet dyerve të hekurta të qelive që të dëgjojë se çka po flasin të burgosurit. Ai nuk e ka këtë gjë për detyrë por e bën që t’i pëlqejë drejtorit të burgut, përtej pritjeve të këtij drejtori. Edhe politikani i Kosovës pasi që nuk e di saktësisht pragun se ku përfundon shantazhi ndaj tij dhe nis aktakuza për të, përveç duke e tepruar ca servilitetin e tij, ai nuk arrin të ndjehet i sigurt se do të vazhdojë të jetë vetëm i shantazhuar, e që në këtë rast ka kuptimin e amnistisë nga përndjekja. Për këta politikanë shantazhi (mbi ta) do të thotë liri (për ta). Njëherë kur shantazhohen, janë vetë ata që e mirëmbajnë shantazhin mandej.

Të gjitha koncesionet ndaj Serbisë negociatorët kosovarë i racionalizojnë si koncesione ndaj miqve ndërkombëtarë e për hir të atyre. Në fakt, këto koncesione bëhen edhe për hir të vetë këtyre negociatorëve që, duke dhënë tutje diçka që i përket shtetit të Kosovës, fitojnë zgjatje pushteti për veten e tyre.

Përderisa stabiliteti rajonal i sipërvendoset drejtësisë për qytetarët dhe të drejtave të qytetarëve, kurrë nuk do të luftohet sinqerisht korrupsioni, dhe aq më pak do të luftohet deri në fund ai. Politikanët e varur të një vendi e varin edhe pavarësinë e atij vendi. Korrupsioni i politikanëve dhe koncesionet e tyre ndaj Serbisë janë të lidhura ngushtë.

* Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje!”

KOMENTE