Tiranë, 22 shtator, NOA – Nën kujdesin e veçantë të kryeministrit, Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit kanë ftuar sopranon e njohur Inva Mula, në skenën shqiptare, e cila iu përgjigj kërkesës për të realizuar premierën absolute, operan fantastike, “Përrallat e Hofmanit” të kompozitorit francez Zhak Ofenbah.
Sipas traditës më të mirë botërore, Inva Mula do të interpretojë tre rolet kryesore femërore: Olimpia, Antonia, Xhuljeta, gjë të cilën e realizon për herë të parë në karrierën e saj.
Nga ana e tij, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit e konsideron si një gjest besimi ndaj teatrit tonë dhe dëshirës për t’u kthyer jo thjesht me një rol, por më shumë se kaq: me një eveniment personal dhe kombëtar.
Ndërkaq, një grup artistësh të njohur francezë që shoqërojnë sopranon e njohur ndërkombëtare në këtë produksion janë regjisori Stephane Roche, dirigjenti Andre Bernard, skenografi Nicolas de Lajartre, solistët Luca Lombardo, Nicolas Cavallier, etj.
Ndërsa marrin pjesë në shfaqje edhe mbi 20 solistë shqiptarë, ku permendim Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri, Eriona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Erlind Zeraliu, Armando Likaj, 50 koristë dhe 60 instrumentistë të orkestrës si dhe një staf i gjerë artistik i teatrit.
Bëhet me dije se Inva Mula do të interpretojë në premierën e datave 1 dhe 3 tetor, ndërsa në shfaqjet e datave 5-7 tetor luajnë kryesisht protagonistë shqiptarë.
Në këtë shfaqje merr pjesë edhe tenori kanadez Mandrico Tedeschi, si dhe soprano greke Niki Chaziraki.
Ministria e Kulturës, ka akorduar një suport tjetër për fondin e ekselencës; për këtë rast në shumën 6.000.000 leke, gjë që mundësoi këtë realizim.
n.e/NOA