English

Policia greke përleshet me dy shqiptarë të dyshuar për trafik droge, 3 të plagosur

Lamia, 22 Shtator 2010 NOA – Për minuta të tëra, forca policore të sektorit antidrogë të cilave iu bashkuan dhe forca speciale, u përleshën në orët e para të ditës së djeshme me dy shqiptarë të dyshuar për trafik narkotikësh, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03.00 në autostradën shtetërore Athinë-Lamia pranë Traganasë, bëhet e ditur në një komunikatë zyrtare të policisë.

Të dyshuarit, dy shtetas shqiptarë, bartnin në një fuoristradë “Jeep Cherokee”, 108 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Policia tha se makina rezultoi e vjedhur.

Konfirmohet se droga kishte hyrë në Greqi nga Shqipëria, përmes kufirit përgjatë Janinës dhe Grevenasë.

Në momentet që fuoristrada përshkonte autostradën me qëllim mbërritjen në Athinë ku do të dorëzohej malli, u përballën me disa makina policie që sinjalizuan të ndalojnë.

Trafikantët refuzuan t’i binden urdhrit dhe këtu nisi përleshja. Nga fuoristrada u qëllua me breshëri armësh automatike.

Policia greke u kundërpërgjigj duke lënë të plagosur një nga dy të dyshuarit që ndodhej në drejtimin e mjetit. Gjithashtu në këtë sulm mbetën të plagosur lehtë dhe dy policë.

Në përfundim të ngjarjes, policia tha se arrestoi dy shqiptarët, përkatësisht 44 vjeç dhe 20 vjeçar.

Në makinë u sekuestruan droga 108 kilogramë, një automatik “Kallashnikov”, 23 fishekë si dhe dy celularë.

n.s/NOA

KOMENTE