English

Sejdiu-Thaçi i kërkojnë emirit të Katarit njohjen e Kosovës

Nju Jork, 22 shtator, NOA – Kosova i ka kërkuar Katarit që ta njohë pavarësinë e saj, duke qenë kështu vendi i radhës që do t’i shtohet njohjeve të deritanishme.

Një kërkesë të tillë ia ka drejtuar emirit të Katarit, Sheik Abdullah bin Khalifa Al Thani, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi të cilët patën një takim me të në Nju Jork, në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Mijëvjeçarit.

Ata e njohën atë edhe me realitetin e ri të krijuar pas mendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

“Mendimi i kësaj gjykate dhe rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së heqin edhe dilemat e fundit që ndonjë shtet mund të ketë pasur rreth njohjes së Republikës së Kosovës”, tha Sejdiu.

Në këtë mënyrë, ai ka duke kërkuar që edhe Katari të ndërmarrë hapin e njohjes së Kosovës, për t’iu bashkuar kështu shteteve që tashmë e kanë njohur atë dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike e kanë shtrirë bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Nga ana e tij, Emiri i Katarit ka thënë se vendi i tij i ka përcjellë me shumë interes zhvillimet në Kosovë dhe se do ta kumtojë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës në kohë shumë të shkurtër.

n.e/NOA

KOMENTE