English

SHBA: Pa rolin e Shqipërisë, Kosova nuk do të qe konsoliduar kaq mirë si shtet

Nju Jork, 22 shtator, NOA - "Pa rolin që ka luajtur Shqipëria nuk do ishim këtu ku jemi sot në konsolidimin e shtetit të Kosovës".

Kështu ka deklaruar ndihmës-sekretari i Shtetit të SHBA për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip Gordon gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto në Nju Jork, në kuadër të punimeve të sesionit të 65-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Gjatë takimit, Ndihmës Sekretari i Shtetit Gordon shprehu vlerësimet më të larta për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara si dhe angazhimin e shtetit amerikan për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Në këtë kuadër, ai shprehu falënderimet e tij për ndihmën që Shqipëria është duke dhënë në Afganistan si dhe për punën lobuese që vendi ynë ka bërë deri në këtë moment për çështjen e Kosovës, si përpara ashtu edhe pas daljes së vendimit të GJND-së.

Haxhinasto dhe Gordon, ndër të tjera, shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet më të fundit në Shqipëri duke u ndalur veçanërisht në përpjekjet që qeveria është duke bërë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor si dhe ruajtjes së tendencës pozitive në rritjen ekonomike të vendit.

Gjtihashtu, Haxhinasto dhe Gordon, u ndalën edhe në zhvillimet në rajon, duke shkëmbyer mendime mbi progresin e bërë deri tani në drejtim të konsolidimit të paqes dhe sigurisë si dhe të proceseve integruese në institucionet euro-atlantike.

Në këtë drejtim u vlerësuan përpjekjet që vendi ynë është duke ndërmarrë për krijimin e një klime të re bashkëpunimi mes vendeve të rajonit përfshi edhe Serbinë, me perspektivën e qartë të integrimit evropian.

Nga ana e tij, Gordon riafirmoi edhe njëherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat e ndërruara nga shteti shqiptar duke vlerësuar gjithashtu rolin e Shqipërisë, si një model bashkëpunimi me vendet e tjera.

n.e/NOA

KOMENTE