Tiranë, 23 shtator, NOA/ Bardhyl Selimi* - Gjatë shtatorit, pata rastin të vizitoja sërish disa nga muzeumet tona. Shoqëroja disa të huaj. Natyrisht, në Tiranë muzeu më i rëndësishëm është ai kombëtar, mu në qendër të qytetit. Ndonëse në shesh vijojnë rindërtimet dhe fasada e vetë muzeut është e mbuluar tërësisht për restaurim, vizitori mund të hyjë brenda përmes skelave me tuba të metaltë.
Gjithnjë e kam vizituar me qejf këtë muze të mrekullueshëm, për të cilin është investuar
aq shumë nga shteti komunist, ndonëse për qëllime propagande. Aty shqiptarët ndjehen
krenarë për përkatësinë e tyre, historinë, lashtësinë. Por edhe të huajt mësojnë shumë, aq
sa edhe bëhen disi ziliqarë për ne shqiptarët.
Do të ishte me vlerë të paraqisnim edhe ndonjë vërejtje. P.sh. qëlluan disa ditë rresht në
shtator që muzeu nuk kishte energji elektrike. Përse? Defekt i jashtëm apo i brendshëm?
Askush nuk e thotë, askush nuk mban përgjegjësi. Shumë të huaj nga që nxitojnë të
kthehen në vendet e veta e kanë parë ashtu në errësirë, sikurse na ndodhi neve, me disa
holandezë. Por s’mjafton kjo. Ata kërkonin një udhëzues për muzeun ku të paraqiten të
gjitha eksponatet kryesore me shënimet përkatëse. Kjo edhe për ta parë më me
vëmendje çdo pavion aty por edhe për ta rikujtuar në shtëpi paskëtaj. Kur pyesim te hyrja
apo te dyqani i brendshëm i suvenireve, thonë që një udhëzues i tillë nuk ekziston. Janë
disa rripa letre të vegjël me foton e eksponateve që kushtojnë secili nga 50L por që nuk
ndihmojnë gjithsesi. Përse të mos hartohet një udhëzues posaçërisht për muzeun, tash
pas rreth 30 vjetësh që ai është ndërtuar?
Një e metë tjetër e dukshme është mungesa e pavionit të pasluftës së dytë botërore, pra të
një periudhë 66 vjeçare. Përse? Na thonë se ka nevojë të ristrukturohet, gjë që lyp para.
“Na ka premtuar ambasada spanjolle 35 000 euro për këtë qëllim, por edhe kjo shumë
është e pakët..”- na sqaron një punonjëse.
Kujtoj që bileta e hyrjes është 200 L, megjithatë shteti nuk duhet ta lejonte një mungesë
të tillë kaq gjatë. Njerëzit brenda e nga jashtë vendit duan të njihen edhe me pavionin e
gjenocidit komunist, të periudhës së ndalesës së ushtrimit të fesë, të periudhës së
tranzicionit etj. Kur do kenë ata sërish rastin ta shijojnë këtë? Mendoj se edhe shoqëruesit duhen përzgjedhur. Po vëreja një grup gjermanësh që shoqëroheshin nga përkthyesi. Por, me sa duket, ky përkthyes jo vetëm që nuk e zotëronte mirë gjermanishten, por nuk e njihte as historinë tonë kombëtare, datat kryesore të saj. Sepse kur ciceroni po fliste për shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912, përkthyesi vërejti që të mos nxitonte shumë duke folur, se ai nuk i mbante mend dot datat…pra as ditën e Pavarësisë!
Ishim në kalanë e Petrelës, ku tash rruga që të çon atje nga kthesa e urës së Peshkatarit
është zgjeruar dhe asfaltuar bukur. Edhe vetë sheshi i fshatit, rrugicat që ngjiten për te
3 kalaja janë përmirësuar dukshëm. Por në kala, në ato rrënoja që kanë mbetur nga luftërat e tmerrshme që kemi kaluar, gjen vetëm restorantin e privatizuar që ka edhe një dhomë të vogël shumë simpatike mbi kullë.
Në këtë dhomë mund të pish kafe dhe të shijosh orendi karakteristike të vendit. Kalohet
bukur. Por asnjë informacion për vetë kalanë nuk ta ofron ndokush, as ndonjë libërth apo
udhëzues për të. Vetëm suvenire.
Dikur kam pas pyetur mësuesin e fshatit. Përse të mos instruktohet qoftë edhe një nga
kamarierët që shërbejnë aty për këtë qëllim dhe t’i paguhet diçka shtesë nga drejtoria e
muzeumeve apo Ministria e Kulturës?
Një tjetër muze madhështor dhe krenues për ne të gjithë është ai i Skënderbeut në Krujë.
Sa herë shkoj atje, kënaqem. Por kur shoqërova dy hollandezë tash së fundmi, arritëm aty
rreth orës 13 dhe muzeu ishte i mbyllur deri në ora 16. Përse ky orar pushimi në mes të
ditës? Shumë turistë u kthyen mbrapsht për në hotelet e yre, vetëm ndonjë qendroi të
pushojë e të hajë drekë në restorantet në sheshin e kalasë. Mbase, pikërisht është vënë ky
orar, që të shfrytëzohen ato restorante? Shpresoj që jo.
Mbyllur ishte edhe muzeu etnografik, po ashtu nga 13-00 deri 16-00, kur mund të
kombinohej ndryshe. Në këtë të fundit madje bileta ishte 300 L! Natyrisht janë të paktë
ata që pranojnë ta vizitojnë, sidomos kur fjala bie për të rinjtë.
Një herë tjetër shkova në Krujë me disa gjermanë, herët rreth orës 10-30. Ishte një ditë e
bukur. Sapo hymë në qytet u befasova dhe u lumturova kur pashë turma të mëdha të rinj
që po drejtoheshin për në muze. Ishin nxënës të gjimnazit të Kamenicës së Kosovës.
Gjermanët habiteshin që ata zinin tërë rrugën e ngushtë dhe pengonin lëvizjen e veturës
sonë, por mua kjo nuk më bënte përshtypje. I sqarova ata që këta të rinj vinë me dëshirë
nga larg për të dëgjuar për heroin tonë kombëtar, kjo është e rëndësishme. Megjithëse
punonjësve të muzeut që janë përgjithësisht shumë të sjellshëm dhe të përgatitur, kjo
dyndje vizitorësh të rinj e të zhurmshëm u krijon vështirësi, vura re se ata e përballonin
për bukuri.
Por bashkëvizitorët e mij, historianë, donin qetësi..Për më tepër edhe në këtë muze
mungonte një udhëzues, shumë i domosdoshëm nga që edhe nuk lejohet të fotografosh
brenda. Të gjithë e vlerësojnë atë si vepër arkitekturore, muzeale për pasurinë dhe
larminë e dokumenteve të paraqitura, për veprat artistike që janë shkrirë në të, por ndjejnë
boshllëk në njohuri për mungesë të këtyre udhëzuesve.
Vijuam udhëtimin në Durrës, ku gjeja e parë e vizitueshme është amfiteatri, një tjetër
monument - dokument për lashtësinë e kombit tone. I zbuluar rreth vitit 1966, amfiteatri
ka mbetur mbase po ai i pari, përkundrazi tash mund të vësh re edhe shumë barishte
nëpër shkallaret e tij. Para pak kohësh, aty u zhvillua një festival ndërkombëtar filmi, por
edhe të ardhurat (bileta kushton 300 L!) mund të mjaftonin jo vetëm për pagën e
punonjësve aty.
Të urojmë që të gjenden fonde për vazhdimin e gërmimeve në mënyrë që një ditë ta
shohim amfiteatrin të plotë dhe të bukur sikur kjo ka ndodhur në vende të tjera të
Mesdheut. Atëhere do të vinë më shumë turistë shqiptarë dhe të huaj.
Do të ishte mirë të hartohej një udhëzues për vetë kalanë e Durrësit, sikurse ekziston kjo
për Butrintin, ku të përmendeshin të gjitha kalatë në rajonin për rreth që shërbenin dikur
si mbrojtëse të saj (Petrela, Preza, Dorëzi, Zgërdheshi, etj). Kështu historia do njihej më
mirë. Aktualisht kjo bëhet më shumë për zonat turistike pranë detit, hotelet, plazhet etj.
Në përfundim do të thoja që muzeumet janë ndërtuar, lipset që ata të mirëmbahen e
pasurohen më tej, por edhe të ofrojnë sa më shumë informacion të shkruar për vizitorët.
* Artikull i dërguar nga autori