English

Berisha-Papandreu në Nju Jork: Incidenti i izoluar i Himarës, nuk do të cënojë marrëdhëniet miqësore me Greqinë

Nju Jork, 23 shtator, NOA – Ndërsa ujërat mes qeverisë greke dhe asaj shqiptare janë ende të ndera pas incidentit me motive etnike ku mëse 40 ditë më parë gjeti vdekjen në një aksident të qëllimshëm automobilistik, minoritari grek nga Himara, Aristotel Guma, kryeministri shqiptar Sali Berisha ka takuar në Nju Jork kryeministrin grek Jorgos Papandreu.

Ky takim vjen dy javë pasi Papandreu në panairin e Selanikut e cilësoi incidentin në fjalë si të inspiruar nga nacionalizmi, sipas papandreut i ardhur drejt rritjes kohëve të fundit.

Duke iu referuar deklaratave të mëparshme të kryeministrit grek, se Greqia mund edhe të bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë, në rast të mosmbrojtjes nga shteti shqiptar të qytetarëve grekë që jetojnë në trojet shqiptare, kryeministri Sali Berisha rishtas theksoi se “Natyrisht, akte të izoluara, absolutisht të dënueshme, apo shpërthime fanatike nuk shprehin as ndjenjat e përgjithshme që ekzistojnë, por as dhe mund të komprometojnë marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë midis dy vendeve”.

Pas takimit me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu, ku merrnin pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të të dy vendeve, Edmond Haxhinasto dhe Dimitris Droutsas, kryeministri Berisha në një deklaratë për mediat tha se ka marrë mbështetjen e plotë të Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat.

“E ftova Kryeministrin Papandreu dhe ai e mirëpriti ftesën për të vizituar Shqipërinë”, theksoi kryeministri Berisha.

Ai bëri me dije se kanë rënë dakord më shefin e ekzekutivit grek që të bashkëpunojnë jo vetëm bilateralisht, por edhe për çështjet e rajonit.

Në këtë kontekst, kryeministri Berisha tha se “E falenderova shumë kryeministri Papandreu për mbështetjen e çmuar që Greqia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian si edhe për nismën e tij për Ballkanin Perëndimor dhe anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian në vitin 2014. Edhe në qoftë se kjo nismë mund t’u duket e parakohshme vendeve të tjera anëtare të BE-së, kjo është një thirrje e shkëlqyer dhe e favorshme për vendet tona”, nënvizoi kreu i ekzekutivit shqiptar.

Gjatë takimit me homologun grek Papandreu, kryeministri Berisha ka shprehur bindjen tek ndjenjat miqësore dhe rëndësia e suksesi i bashkëpunimit midis dy vendeve, një bashkëpunim i shumanshëm në të gjitha fushat dhe shumë i rëndësishëm.

“Shfrytëzova rastin për të falënderuar Kryeministrin Papandreu dhe qeverinë greke për të gjithë mbështetjen e çmuar në inkurajimin e investimeve të mëdha e ndër më të rëndësishmet në Shqipëri, në fondet që qeveria greke ka dhënë për infrastrukturën e vendit, ndër të cilat, më kryesore është rruga Konispol–Sarandë dhe progresin e madh që ka bërë emigracioni shqiptar në Greqi në normalizimin e kushteve të jetës së tyre”, shtoi zoti Berisha.

Megjithatë bashkëpunimi i ngushtë me Greqinë, sikundër deklaroi kryeministri grek Jorgos Papandreu nga Selaniku, dy javë më parë do të jetë i varur nga progresi që do të bëjë qeveria shqiptare lidhur me mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

mit/NOA
KOMENTE