English

Bode: Rama po instrumentalizon politikisht vendimin për kasat e bizneseve

Tiranë, 23 shtator, NOA – Pas reagimit të liderit të opozitës mbi protestën e tregtarëve të medresesë, Ministri i Financave, Ridvan Bode ka akuzuar sot kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se po instrumentalizon politikisht procesin jetik për konkurrencën e lirë në treg, atë të vendosjes së kasave me klientelizmin politik në Bashkinë e Tiranës.

Në një konferencë për shtyp nga dikasteri i Financave, shefi i saj, Bode denoncoi akuzat e Ramës duke e mbrojtur vendimin e qeverisë për vendosjen e pajisjeve elektronike, si një shërbim ligjor për konkurrencën e barabartë të bizneseve në treg, dhe për eliminimin dhe dominimin mbi evazionin fiskal.

“Kjo është një masë shumë e rëndësishme e ndërmarrë nga qeveria, ndërkohë që në vende të tjera të zhvilluara të rajonit dhe botës, ky proces tashmë është i përfunduar dhe përbën elementin bazë për të mënjanuar sjelljen klienteliste në nxjerrjen e taksave, instrumentalizimin elektoral dhe politik të administratave respektive në nxjerrjen e të ardhurave fiskale dhe krijimin e barazisë së bizneseve para ligjit”, tha Bode.

Ai theksoi sakaq se “instrumentalizomi i vendimit në fjalë dëshmon edhe një herë, mungesën e koherencës së opozitës shqiptare në raport me ligjin, bile më tej dëshmon faktin se opozita duke shfrytëzuar të drejtën legjitime për të qenë oponencë e vazhdueshme e qeverisë, synon të krijojë kaos në zbatimin e ligjit, synon të krijojë një situatë antiligjore edhe në sektorin e ekonomisë, aq të interesuar për ta paraqitur si një sektor në krizë dhe pa perspektivë”.

“Si Ministër i Financave dëshiroj t’i vë në dijeni se procesi i zbatimit të pajisjeve elektronike fiskale, ndodhet në një fazë vendimtare dhe po përdoret në rradhë të parë për t’u mundësuar bizneseve që të konkurrojnë në mënyrë të drejtë dhe për të ndërprerë çdo burim të korrupsionit që mund të ushqehet përmes sjelljes jo të njëjtë, jo të drejtë dhe jo të barabartë të bizneseve”, theksoi ministri i Financave.

“Ajo që ne bëjmë sot, tha ministri, “është që evidentojmë atë që qytetarët paguajnë përmes çmimit si pjesë e taksave të buxhetit”.

Sipas tij, thirrja e pak orëve më parë të kryetarit të bashkisë së Tiranës vjen një ditë pasi ai deklaroi publikisht se bashkia e kryeqytetit dhe minibashkitë e tij për vitin 2010 kanë vjelë gjysmën e taksave të mbledhura gjatë vitit 2009 si taksa mbi biznesin e vogël.

Andaj sipas ministrit Bode, kjo përbën dëshminë më të qartë të përdorimit dhe instrumentalizimit politik dhe klientelist që kryetari i bashkisë së Tiranës kërkon t’i bëjë një procesi tërësisht ligjor.

“Çdo përpjekje për të krijuar idenë e ndonjë monopoli në treg është e pabazë. Tashmë ligjërisht, gjithsecili mund të marrë pjesë në treg kundrejt çertifikimit të tipit të pajisjeve fiskale që do të tregtojë në tregun shqiptar”, mbrojti vendimin e qeverisë Bode.

Ai theksoi se “për biznesin e vogël ne sigurisht që ju kemi kërkuar dhe do të këmbëngulim që të gjendet një pajisje elektronike e përshtatshme, me një kosto të arsyeshme dhe me kapacitete sigurisht më të limituara nga kasat që përdoren në biznesin e madh dhe me një veprimtari më të gjerë”, duke garantuar se qeveria dhe institucionet tatimore do të vazhdojnë të ndjekin me vëmendje zhvillimet në treg për zbatimin e procesit të pajisjeve me kasa fiskale.

Ministri i Financave Ridvan Bode e ftoi edhe njëherë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që përmes atij komiteti të informacionit dhe sigurimit, që ka ngritur në partinë e tij, të shkojë e të marrë çdo dokument në Ministrinë e Financave, që ka të bëjë me procesin e zbatimit të pajisjeve me kasa, një masë e rëndësishme për lirinë e tregut dhe lirinë e njeriut.

mit/NOA
KOMENTE