Tiranë, 23 shtator, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshoski, i ka dërguar një mesazh urimi Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto me rastin e marrjes së detyrës.
Në këtë mesazh homologu maqedonas i përcjell përgëzimet e tij zotit Haxhinasto duke shprehur edhe konsideratën e tij për nivelin e lartë të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit, që ekziston ndërmjet dy vendeve tona.
Milloshoski thuhet në mesazh ka shprehur bindjen për intensifikimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve edhe në të ardhmen.
“Jam gjithashtu i lumtur që do të kontribuojmë së bashku për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, me synim sigurimin e stabilitetit, demokracisë dhe begatisë në Ballkan”, shkruan më tej ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski.
Ai në fund të mesazhit shpreh kënaqësinë për takimin e afërt të dy homologëve.
mit/NOA