Tiranë, 24 shtator 2010 NOA UPDATE - Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) zhvilloi një takim me anëtarët dhe simpatizantët e saj të Tiranës. Takimi kishte si qëllimi mbylljen e fushatës elektorale të dy kandidateve për kreun e Tiranës, si dhe organizimin e LSI-së për zgjedhjet vendore.
Të dy kandidatët, Prof. Dr. Shezai Rrokaj dhe Prof. Dr. Edmond Panariti, shfrytëzuan dhe njëherë mundësinë për të kërkuar mbështetjen e anëtarësisë për zgjedhjet e 26 shtatorit.
Në fjalën e rastit Kryetari i LSI-së z. Meta, u ndal gjerësisht në situatën politike që po kalon vendi, organizimi i LSI-së në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet vendore, dhe rolin e LSI-së në proceset integruese të vendit.
Kryetari I LSI-së, Ilir Meta iu drejtua kështu të pranishmëve: “Të them të drejtën 135 ditët jashtë vendit jam ndier si i internuar duke qenë larg jush, larg anëtarëve dhe simpatizantëve tanë në të gjithë Shqipërinë. Por njëkohësisht jam krenar që pas një viti objektivat tona kryesorë për të përparuar në integrimin evropian të Shqipërisë, tashmë janë duke u prekur nga të gjithë shqiptarët”.
Më tej Meta tha se ndjehej krenar që së bashku me ju dhe së bashku me gjithë të tjerët që kanë kontribuar në mënyrë konstruktive dhe pozitive, gjatë këtij viti janë përmbushur të gjitha detyrimet e Shqipërisë, të qeverisë dhe të shtetit përpara Bashkimit Evropian në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë, më të izoluarit në Evropë 20 vite më parë, të fitojnë të drejtën për të qenë qytetarë të cilët nuk do të diskriminohen më për të parë Evropën, për tu takuar dhe për tu shpallur me fëmijët e tyre, me të afërmit e tyre.
Megjithatë Meta pranoi se “ne jemi të ndërgjegjshëm se pavarësisht nga një vit qeverisje, ku LSI ka qenë pjesë e saj, gjërat në Shqipëri nuk kanë shkuar në mënyrën më të mrekullueshme që ne do të dëshironim. Ne jemi të ndërgjegjshëm që shqiptarët kanë ende shumë probleme të mëdha sociale dhe ekonomike, por nuk duhet të harrojmë se edhe fqinjët tanë, anëtarë të BE kanë probleme shumë të mëdha gjithashtu”.
Gjithsesi Meta premtoi se “do të bëjmë çdo gjë që klima ndaj biznesit të përmirësohen në mënyrë të vazhdueshme, që pengesat burokratike dhe korruptive të eliminohen sa më shumë edhe në praktikë, ne do të bëjmë çdo gjë për të bërë cilido shembull të abuzimit dhe të shkeljes së ligjit, sepse zbatimi i ligjit njësoj për e të gjithë, është deviza jonë kryesore”.
e.r/NOA
Lexoni fjalimin e plote te Metes