Tiranë, 23 shtator, NOA – Ndërsa opozita bojkotoi vetëm pak minuta më parë Kuvendin e Shqipërisë si rezultat i mospajtimit me votimin e dyfishtë të mazhorancës sa i përket dekretit të Presidentit mbi ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i doli në mbrojtje tregëtarëve të biznesit të vogël, të cilët dje dhe sot kanë protestuar kundër vendosjes së kasave për bizneset e tyre.
Shefi i opozitës deklaroi nga selia rozë se “Detyrimi që sipërmarrësit të blejnë kasat fiskale është çmimi i korrupsionit të kësaj mazhorance, janë gjobat që kjo qeveri vendos për të mbajtur pushtetin e saj”.
Rama bëri me dije se grupi i transparencës i ngritur pranë PS-së, ka kërkuar dosjen fiskale pak kohë më parë, pikërisht për të bërë transparencën e kësaj çështjeje që shqetëson sipërmarrësit.
Lideri i opozitës tha ndërkaq se duke nisur nga e nesërmja Partia Socialiste do të hapë publikisht dosjen fiskale për të nisur publikisht transparencën e korrupsionit, korrupsion që nis direkt sipas Ramës nga zyra e ministrit të Financave.
Rezultatet e deritanishme nga grupi i transparencës për këtë çështje janë të mjaftueshme, tha kreu i PS-së, Rama, për të deklaruar se korrupsioni i qeverisë ka bërë ligjin dhe Maliqin bashkë.
“Është makutëria e këtij pushteti që po torturon të gjithë tregëtarët bashkë dhe mijëra e mijëra sipërmarrësit shqiptarë”, theksoi në këtë konferencë për shtyp kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Tregëtarët e biznesit të vogël në kryeqytet kanë protestuar dje edhe sot pranë Medresesë në Tiranë, duke refuzuar blerjen e kasave fiskale, të kërkuara nga tatimorët.
mit/NOA