Nju Jork, 23 shtator, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto mori pjesë në Darkën Trans-Atlantike të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s të, në Nju Jork, ku merrte pjesë edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.
Në këtë darkë pune u diskutua rreth çështjeve të rëndësishme për paqen dhe sigurinë në zonën euroatlantike dhe më gjerë, si dhe mbi sfidat e reja për sigurinë e përbashkët dhe mundësinë e rritjes së bashkëpunimit, me qëllim përballimin e tyre.
Gjatë darkës, Ministri Haxhinasto zhvilloi edhe një bisedë të ngrohtë me Sekretaren amerikane të Shtetit, zonjën Hilari Klinton, e cila e uroi ministrin Haxhinasto për marrjen e detyrës dhe i konfirmoi ftesën për një vizitë në Uashington në fundin e këtij viti.
Gjatë bisedës me Sekretaren Klinton, Ministri Haxhinasto diskutoi rreth zhvillimeve në rajon, duke theksuar gatishmërinë e Shqipërisë për të promovuar më tej dialogun dhe bashkëpunim konstruktiv mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Më tej, në darkën e zhvilluar gjatë sesionit të 65-të të AP-së në Nju Jork, Haxhinasto theksoi se është i nevojshëm vazhdimi i angazhimit intensiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e bisedimeve, që Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me Serbinë për çështje teknike, veçanërisht tashmë që çështja e statusit është mbyllur përfundimisht. Sekretarja amerikane Klinton i konfirmoi ministrit Haxhinasto se “SHBA do të jetë pjesë aktive e këtij procesi”.
mit/NOA