English

Kontrabandë druri në kufi, kapen 3 policë të përfshirë

Prishtinë, 23 shtator, NOA – Gjatë operacionit policor “Rrjeti i merimangës 2”, i planifikuar për t’u kryer gjatë periudhës 20-30 shtator, në brezin kufitar Kosovë- Shqipëri, tre policë janë pezulluar pasi dyshohen të jenë përfshirë në një trafik kontrabandë druri.

Ngjarja bëhet me dije për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Kosovës, sipas të cilave, nga vëzhgimet dhe operimet në terren, është identifikuar një rast për “Kontrabandim të drunjve”, ku është i përfshirë një person nga Shqipëria.

Ndërkaq, gjatë hetimeve lidhur me këtë rast, ekziston dyshimi për përfshirjen edhe të tre zyrtarëve policorë, punonjës në vendkalimin kufitar të Qafë-Morinës.

Ndaj oficerëve te dyshuar është shqiptuar masa e pezullimit për 48 orë, ndërsa kanë nisur procedimet hetimore për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, dhe materialet iu dorëzuan njësisë së krimeve ekonomike të Pejës për hetime të mëtejshme. n.e/NOA

KOMENTE