English

Kreu i Kushtetueses, Kuvendi miraton dekretin e Topit për Bashkim Deden

Tiranë, 23 shtator, NOA – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 vota pro dekretin e Presidentit të Republikës, për emërimin e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja u dekretua nga presidenti Topi vetëm dy ditë më parë, pak përpara se presidenti të fluturonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në sesionin e 65-të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në krye të një delegacioni shqiptar.

Zgjedhja e emrit të ri të kryetarit të kushtetueses, erdhi ndër emrat e rinj të anëtarëve të saj të përzgjedhur nga vetë kreu i shtetit në fillim të shtatorit.

Kandidatura e Dedes ishte miratuar nga kuvendi si anëtar, andaj edhe dekreti i Presidentit për emërimin e tij në krye të GJK_së, në vend të Vladimir Kristos u miratua pa kundërshtime nga mazhoranca.

Debati për zgjedhjen e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese ashpërsoi marrëdhëniet e ngrira mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit gjatë periudhës së fundit të sesionit të kaluar parlamentar.

Kjo erdhi për arsye se mazhoranca e quajti të tejkaluar afatin e qëndrimit të krye të Gjykatës Kushtetuese të ish kreut Vladimir Kristo, ndërsa presidenti kishte lajmëruar se gjithçka po realizohej bazuar në Kushtetutën e vendit, andaj përzjgedhja e kreut të ri do të vinte vetëm në fillim të shtatorit, sikundër edhe ndodhi.

Tashmë kryetari i Gjykatës Kushtetuese është gjyqtari Bashkim Dedja.

Pritet që kuvendi të miratojë edhe emrat e tjerë të përzgjedhur nga presidenti për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.

mit/NOA
KOMENTE