English

Kthim në pikën zero

Duke njohur përçmimin e tij të gjithanshëm dhe të vërtetuar jo pak herë edhe publikisht; për politikanët, për gazetarët, për artistët, për demokratët, për malokët, për të huajt, nuk kemi pse të mos besojmë se ai mund të mos përçmojë njësoj si në rini edhe socialistët. Jo vetëm braktisja, por edhe thjesht paralajmërimi i mospjesëmarrjes në zgjedhje, është përçmim për gati 700 mijë votues të PS-së. E këtë nuk ka guxuar ta bëjë as Berisha në 1997

Nga Edmond Arizaj

Paralajmërimet e dukshme që vijnë nga krerët e Partisë Socialiste janë; rifillimi i protestave dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale. Edhe takimëzat që po bën kryetari socialist në rrethet e vendit, duket se janë në shërbim të kësaj ideje, shkundjen e elektoratit nga topitja e verës dhe ripërgatitja e tij për ripërballjen në rrugë për rikërkimin e rihapjes së kutive. Kërkesa e vjetër bëhet nën një moto të re, jo shumë të bërë publike; nuk kërkohet largimi i Berishës kryeministër, por zgjedhjet e parakohshme. Ndërsa në sfond është edhe paralajmërimi i përdorur katër vjet më parë, për mospjesëmarrje në zgjedhjet vendore.

Për teorinë e braktisjes së zgjedhjeve lokale mund të ngrihen disa hipoteza. E para dhe më e mundshmja është se kemi të bëjmë me një blof. Logjika e do të mendohet se një parti e madhe si ajo socialiste, nuk mund të ndërmarrë veprime abstrakte, sidomos kur ato janë të pajustifikuara mirë në sytë e elektoratit të saj. Për më tepër që PS është sot drejtuese në qytetet kryesore të vendit dhe një deklarim i tillë, mund të përkthehet edhe si frikë nga humbja.

Dhe këtu vijmë në teorinë e dytë, kur frikën më të madhe për humbjen mund ta ketë vetë kryetari i partisë, njëkohësisht edhe kryebashkiak i kryeqytetit. Të 20 mijë votat që ishin plus në zgjedhjet e fundit lokale mund të mos ekzistojnë më, apo më keq akoma mund të ndryshojnë kah.

Të gjitha dështimet e kryesocialistit gjatë viteve që ai e ka marrë këtë post, të gjitha humbjet e tij përballë Berishës, të gjitha veprimet e tij pak ortodokso-socialiste, janë vota që mund të shënohen si të humbura. Në thesin e votave me kryq, mund të futen edhe ato të kryeqytetasve apolitikë, të dëshiruar për një qytet të jetueshëm, por “të dënuar” të frymojnë në një fole termitesh. Kjo pasqyrë e situatës, të çon në teorinë e tretë, pak të mundshme, por duke njohur kryetarin e PS-së, jo të pabesueshme.

Nëse me kanalet e tij të sondazheve, kryebashkiaku aktual bindet përfundimisht se beteja për Tiranën, nuk do të jetë e tij për herë të katërt, e ka shumë të thjeshtë që të inskenojë edhe dhjetë arsye për të mos marrë pjesë në to.

Jo vetëm ai, por e gjithë Partia Socialiste. Në këtë rast, jo vetëm që nuk rrezikon humbje pas humbjesh, por madje fiton edhe një krizë më shumë, të cilën i duhet vetëm ta menaxhojë në favor të tij. Duke njohur përçmimin e tij të gjithanshëm dhe të vërtetuar jo pak herë edhe publikisht; për politikanët, për gazetarët, për artistët, për demokratët, për malokët, për të huajt, nuk kemi pse të mos besojmë se ai mund të mos përçmojë njësoj si në rini edhe socialistët.

Jo vetëm braktisja, por edhe thjesht paralajmërimi i mospjesëmarrjes në zgjedhje, është përçmim për gati 700 mijë votues të PS-së. E këtë nuk ka guxuar ta bëjë as Berisha në 1997.

Për paralajmërimin e protestave, duket gjithçka e qartë. Në Partinë Socialiste, përveç shkrirjes së pritshme të kryetarit të saj, me një parti që solli në zgjedhjet e fundit vetëm 10 mijë vota, nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk është mësuar asgjë nga një vit beteje me mullinjtë e erës. Nuk është kuptuar asgjë nga stërlodhja dhe rraskapitja e militantëve. Nuk është përvetësuar asgjë nga dhjetëra deklarimet e ndërkombëtarëve.

Është afërmendsh që elektorati socialist, e në radhë të parë militantët, kërkojnë ardhjen në pushtet, madje edhe me forma që u ka kaluar koha. Por kur të zgjedhurit e saj dhe i zgjedhuri i madh, nuk kanë bërë asgjë për të brejtur themelet e kësaj qeverie, militantët në protesta maksimumi mund t’i thyejnë xhamat, copat e të cilëve bien sërish mbi kokat e tyre, figurativisht.

Atëherë pse krerët e PS-së paralajmërojnë protesta, për të njëjtën çështje që protestuan deri me grevë urie, e për të cilën u kthyen në zgjidhjen që u është dhënë një vit më parë?!

Ndoshta, dhe këtu vijmë në paralajmërimin e fundit, por jo shumë të bërë publik, këtë radhë PS do të protestojë dhe do të kërkojë më së shumti zgjedhjet e parakohshme. Çështja e kutive, akuzat për korrupsion, niveli i jetesës, tashmë janë hedhur si sloganet paralajmëruese të kërkesës për zgjedhjet e parakohshme.

Veçse në këtë rrëmujë idesh e bardhësi aksionesh të vërteta politike, mbetet e paqartë se çfarë kërkon realisht kryetari i PS-së; vërtetësinë e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, sigurinë se do të jetë sërish fitues i Tiranës, zgjedhjet e parakohshme, apo ç’është më kryesorja, fitimin e statusit të liderit opozitar.

Deri tani, të gjitha betejat e tij kanë rezultuar të humbura dhe nuk ka asnjë të dhënë se ai do të fitojë gjithçka në një dorë. Kthehemi sërish në pikën zero…

Marrë nga “Koha Jonë”

KOMENTE