English

Ministria e Mjedisit: Mbetjet, 67 gjoba për vendorët me shumë 48.3 milionë lekë

Tiranë, 23 shtator, NOA – Që nga janari i këtij viti, ministria e Mjedisit ka ndëshkuar për mosadministrim të mbetjeve, pothuajse pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave të vendit, me një total prej 67 gjobash dhe vlerë prej 48.300.000 lekësh të reja.

Kjo shifër konfirmohet zyrtarisht prej saj për agjencinë e Lajmeve NOA, duke shtuar se me dhjetëra kallëzime penale për kundravajtje të rënda janë depozituar pranë Prokurorisë, e cila ka detyrimin për t’i çuar ato deri në fund.

“Ministria e Mjedisit, ndan shqetësimin e qytetarëve për disa zona të caktuara në vend, prandaj strukturat e kontroll-inspektimit, kanë ndjekur dhe po vazhdojnë të ndjekin në mënyrë sistematike gjithë problematikën e tyre mjedisore”, citojnë burimet e saj.

Duke shtuar më tej, se përsa i përket vjeljes së gjobave, sqarojmë se me ndryshimin e fundit në ligjin për kundravajtjet administrative, gjobat mjedisore përbëjnë titull ekzekutiv dhe detyrojnë institucionin e Përmbarimit të garantojë ekzekutimin e tyre.

E përveç gjobave, thuhet se ministria e Mjedisit ka përdorur të gjitha instrumentat e tjerë ligjore për garantimin e respektimit të standarteve mjedisore në vend.

Në fund, ekspertët e Mjedisit thonë se “në momentet kur rrezikohet shëndeti i njerëzve, Institutit i Shëndetit Publik, është një tjetër aktor shumë i rëndësishëm, i cili ka detyrimin ligjor, jo vetëm të ngrejë një shqetësim, por të marrë masa ndëshkimore, deri në mbylljen e aktiviteteve që shkaktojnë ndotje dhe paraqesin rrezikshmëri për shëndetin”.

“Ministria e Mjedisit, siguron qytetarët dhe te gjitha institucionet përgjegjëse për garantimin e një mjedisi dhe jete të shëndetshme, për bashkëpunim të pandërprerë, me qëllim përmbushjen e detyrimeve respektive, por edhe të përbashkëta”, citojnë ata.

n.e/NOA

KOMENTE