Tiranë, 23 shtator, NOA – Ministria e Turizmit nënshkroi sot Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Organizatën Holandeze për Zhvillim (SNV), ku përcaktohen fushat e bashkëpunimit në ndihmë të sektorit të turizmit, për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori në Shqipëri.
Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje, miistri i Turizmit, Ferdinand Xhaferraj theksoi se partneritetet me organizata ndërkombëtare si SNV janë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
“Partneriteti ynë me SNV na mundëson të punojmë në përmirësimin e sektorit duke përdorur eksperiencat dhe mësimet e fituara nga praktikat më të mira ndërkombëtare”, tha ai.
Konkretisht, marrëveshja e nënshkruar me holandezët përcakton fushat e mundshme të bashkëpunimit ku pëerfshihen sistemet e mbledhjes dhe menaxhimit të të dhënave, planifikimi dhe menaxhimi i destinacioneve të ndryshme, zhvillimi i kapaciteteve kombëtare, rajonale dhe lokale që merren me turizmin e përmirësimi dhe zbatimi i ligjit për turizmin.
Ndërsa drejtoresha e SNV për Shqipërinë, Elvana Zhezha, diskutoi mbi mundësitë që ka Shqipëria për të rritur përfitimet nga rritja e numrit të vizitorëve në vend.
“Për të bërë këtë, ne duhet të përpiqemi që të gjithë aktorët të punojnë bashkë. Bashkëpunimi ynë me ministrinë është vetëm një pjesëz e vogël e këtyre përpjekjeve. Turizmi është një sistem kompleks dhe si i tillë, kërkon vendime dhe kontribut nga struktura qeveritare, sektori privat, përfaqësues të shoqërisë civile apo publikut të gjerë”, tha ai.
n.e/NOA