Tiranë, 23 shtator, NOA Update – Protesta, deri në largimin e qeverisë! Kjo ka qenë deviza me të cilën, kreu i partisë Drejtësi dhe Ligj, Spartak Ngjela, doli publikisht para mediave, pas takimit të aleatëve të opozitës, i organizuar nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Sipas Ngjelës, është vetë shoqëria që kërkon protesta kur sheh se mazhoranca nuk ofron zgjidhje për krizën politike, por edhe vendin në përgjithësi.
“Do fillojmë protesta masive për ta rrëzuar njëherë e mirë këtë qeveri”, ka përforcuar mendimin e tij Ngjela, pas takimit të parë të aleatëve opozitarë menjëherë pas pranverës, kur organizuan protesta dhe madje një grevë urie masive.
Duke dhënë afat konkret për rifillimin e protestave opozitare, Ngjela shtoi se muaji tetor do të shënojë edhe kohën e mbajtjes së tyre.
n.e/NOA