English

Nuk mund të bëjmë sikur jemi

Ne nuk mund të bëjmë sikur jemi, ne nuk mund të bëjmë sikur flasim, ne nuk mund të bëjmë sikur jemi opozitë. Ne do të jemi këtu barrikadë, për të zbatuar ligjet, kushtetutën, rregulloren e këtij vendi. Ky është misioni, ky është shqiptarizimi, që ndonjë zonjë apo ndonjë zotëri shkoi deri në akuza absurde për opozitën e një vendi. Antishqiptar dhe antikombëtar je kur shkel kushtetutën

Nga Gramoz Ruçi

U dhunua vota e lirë e të zgjedhurve të këtij vendi. Tani është momenti që ju kërkoni të legjitimoni, kërkoni të kaloni, të miratoni atë që keni bërë në një seancë më parë. Zotërinj të nderuar, ne nuk kërkojmë të imponojmë tek ju vullnetin tonë, por jemi në të drejtën tonë, që ju të jeni të detyruar të zbatoni kushtetutën e këtij vendi.

Keni shkelur në sallën e kuvendit, para opinionit publik shqiptar, në sy të medias, një nen të kushtetutës. Dhe tani kërkoni që të bëheni edhe dëshmitarë, edhe qorr, edhe shurdh, edhe bashkëfajtorë, edhe opozitë.

Prandaj para se ta hidhni në votë atë duhet të zbatoni kushtetutën. Para se të hidhni në votë atë, duhet të zbatoni rregulloren e këtij parlamenti. Ju jeni të detyruar ta bëni këtë, sepse ka ndodhur një gjë tepër e madhe.

Jeni të detyruar që procesverbali të mos miratohet. Jeni të detyruar të zbatoni nenin 61 pika e cila thotë, citoj: “çdo votim i kryer në kundërshtim me kushtetutën dhe me ligjet ose rregulloren e kuvendit është i pavlefshëm”, thotë rregullorja, jo opozita.

Pyetja që shtrojmë ne si opozitë është: qytetarë të nderuar dhe të respektuar të Shqipërisë, partnerë dhe organizma ku ne duam dhe aspirojmë dhe duam të anëtarësohemi, kemi një mazhorancë që në mes të ditës në sallën e parlamentit, në sy të medias shkel Kushtetutën. Qytetarë të Shqipërisë, kemi një maxhorancë që në mes të ditës shkel ligjin, duke shkelur kodin që ka çdo parlament i botës, rregulloren e tij.

Qytetarë të Shqipërisë ne kemi një vit që kërkojmë transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit, por edhe kur këtë transparencë e bën media, kjo maxhorancë nuk do t’ia dijë as për zbatimin e kodit, as për zbatimin e ligjit, as për zbatimin e kushtetutës.

Prandaj unë ju falënderoj juve që e shpallët rezultatin e votimit të parë të dekretit me elektronikë, duke e pasqyruar para publikut shqiptar, por mazhoranca nuk do që nuk do, do që ta bëjë fakt të kryer duke miratuar edhe këtë procesverbal të kësaj seance.

A mund të ketë besim më ky popull tek kjo maxhorancë, kur për zgjedhjet e ardhshme i thuhet se arritja e fundit e shekullit është votimi elektronik.

Dhe kur ky votim elektronik aplikohet në parlament, e shpallët rezultatin në ekranin e tij, para televizorit, para publikut dhe kjo mazhorancë e manipulon, i thotë ik se ke gabuar si elektronikë. U kishte ngelur për të manipuluar në rrugë elektronike, e provuan dhe e realizuan në sallën e parlamentit. A mund të ketë më votim të lirë në këtë vend.

***

Unë, jo qytetarit shqiptar, por përfaqësuesi i qytetarit shqiptar, deputetët shqiptarë, të zgjedhurit të këtij vendi, i mohohet vota që ka dhënë, i manipulohet vota që ka dhënë, i bëhet presion nga kreu i qeverisë, në sy të publikut, në sy të medias, brenda gjysmë ore. Prandaj ne nuk mund të bëjmë sikur jemi, ne nuk mund të bëjmë sikur flasim, ne nuk mund të bëjmë sikur jemi opozitë.

Ne do të jemi këtu barrikadë, për të zbatuar ligjet, kushtetutën, rregulloren e këtij vendi. Ky është misioni, ky është shqiptarizimi, që ndonjë zonjë apo ndonjë zotëri shkoi deri në akuza absurde për opozitën e një vendi. Antishqiptarë dhe antikombëtarë je kur shkel kushtetutën.

Antishqiptarë dhe antikombëtarë je kur shkel parimet e së drejtës, kur shkel ligjet e vendit, kur shkel parlamentarizmin, ku manipulon votën e zgjedhësve, kur nuk plotëson kushtet dhe kriteret për integrimin e vendit dhe kjo përgjegjësi është e juaja. Unë i bëj apel edhe presidentit të vendit.

I nderuar President, e shikon apo se shikon si garanti i kushtetutshmërisë, mazhoranca nga ku ke dal dhe që të ka votuar, sesi e shkel kushtetutën e vendit dhe dekretin që i propozon. Unë kam një apel për të gjithë pronarët që cenohen nga hyrja në fuqi dhe nga ky votim i turpshëm tuaj.

E shikoni apo nuk e shikoni partinë që keni mbështetur në 20 vjet, sesi u dhunon liritë dhe të drejtat tuaja për pronën. E pra, kjo jeni ju dhe ne nuk mund të rrimë në heshtje.

Për ta mbyllur, nuk është propozim i opozitës, por është detyrimi juaj që të zbatoni fjalë për fjalë rregulloren e kuvendit, që kur një votim është në kundërshtim me kushtetutën, kur një votim është në kundërshtim me ligjin, kur një votim është në kundërshtim me rregulloren, ai quhet i pavlefshëm.

(*) Fjala e mbajtur ne Parlament

KOMENTE