English

Protesta e tregtarëve për kasat fiskale, ndiqen penalisht katër prej tyre

Tiranë, 23 shtator, NOA – Protesta dy ditore e tregtarëve që kundërshtojnë vendimin e qeverisë për vendosjen e kasave për bizneset e tyre ka çuar në procedim penal në gjendje të lirë katër prej tregtarëve të tregut industrial.

Në një deklaratë për shtyp, policia e kryeqytetit bëri me dije se po procedohen penalisht tregtarët Kadri Nelaj, Iliaz Cara, Enxhi Planka dhe Petrit Karaj.

Sipas policisë së kryeqytetit masa ndaj tyre u mor pasi këta katër tregtarë dje përgjatë një ore nga 10.30-11.30 kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në tregun industrial që ndodhet në rrugën “5 Maji” pranë Medresesë, duke bllokuar kryqëzimin që lidh rrugën në fjalë me atë “Ferid Xhajko”.

Sipas policisë ata akuzohen për tri vepra penale, për mosbindje ndaj urdhrit të policisë së rendit publik, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme dhe pengim të qarkullimit rrugor.

Katër tregtarët kanë kundërshtuar dje me forcë të paguajnë gjobat e tatimorëve për vendosjen e kasave fiskale, duke protestuar dhe bllokuar rrugën pranë Medresesë.

Protesta e tregtarëve vijoi edhe sot, kur pranë tyre erdhën edhe deputetë të Partisë Socialiste.

mit/NOA

KOMENTE