Tiranë, 23 shtator, NOA, Update – “Shqetësimet e sipërmarrësve na kanë rezultuar absolutisht të mbështetura në prova e fakte, që tregojnë qartë se çmimi i kasave fiskale është në të vërtetë çmimi i korrupsionit”.
Kështu ka deklaruar kreu i opozitës Edi Rama në një konferencë për shtyp të mbajtur lidhur me protestën që tregtarët e biznesit të vogël po zhvillojnë prej dy ditësh pranë Medresesë.
Shefi i selisë rozë bëri me dije se dje pas protestës së tregtarëve të Medresesë, ai i ka kërkuar grupit të transparencës së qeverisjes një informacion mbi dosjen e kasave fiskale, që qeveria u kërkon bizneseve të vendosin.
Sipas lideri të opozitës edhe detyrimi që tregtarët t’i blejnë kasat me çmimet e vendosura që sipas tij janë shkatërruese për familjet shqiptare të shumë tregtarëve të vegjël, janë në të vërtetë gjobat e korrupsionit.
“Edhe presioni shtetëror e policor i përdorur dje mbi tregtarët e Medresesë në Tiranë është presioni i korrupsionit”, theksoi kreu i PS-së.
Duke filluar që nesër, deklaroi zoti Rama, “për të gjithë sipërmarrësit shqiptarë dhe qytetarët e këtij vendi të mbërthyer në tentakulat e korrupsionit qeveritar, ne do të hapim publikisht këtë dosje dhe do të nisim publikisht transparencën e kësaj historie të neveritshme korrupsioni që për fat të keq zë fill në zyrën e Ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë”.
Rama nënvizoi ndërkaq se puna për këtë transparencë ka nisur disa javë më parë, kur erdhën shqetësimet e para nga sipërmarrës të vegjël të Tiranës, Korçës, Beratit e Durrësit.
Ai theksoi në këtë kontekst duke ironizuar qeverisjen me një shprehje të njohur të veprës “Katërmbëdhjetëvjeç dhëndër të Çajupit, se “rezultatet e deritanishme të vëzhgimit të bërë nga grupi ynë i transparencës për çështjen e kasave fiskale janë, as më shumë e as më pak, po të mjaftueshme për të parë e kuptuar se, edhe në këtë rast, korrupsioni ka bërë ligjin e Maliqin bashkë”.
“Është makutëria e oborrtarëve të këtij pushteti të korruptuar, i cili vodhi votat për të vjedhur pastaj ç’i del përpara në tërë Shqipërinë, që po torturon sot jo vetëm tregtarët e Medresesë në Tiranë, po mijëra e mijëra sipërmarrje private në çdo qytet të Shqipërisë”, tha shefi i opozitës Edi Rama në daljen e tij publike në mbrojtje të kërkesave të tregtarëve të vegjël.
mit/NOA