Tiranë, 23 shtator, NOA – Roli i opozitës është të ngrejë pyetje, të kryejë investigime dhe të ndjekë punën e qeverisë.
Kështu ka pohuar sot në seancë plenare deputeti socialist, Eduard Shalsi, duke kritikuar deputetët e mazhorancës se po akuzojnë ata opozitarë për kritikat që po ngrejnë gjatë seancës plenare.
Ndërsa kryeparlamentares Topalli iu drejtua me fjalët se ajo deri tani në postin e drejtimit të Kuvendit, ka parë vetëm privilegjet.
“Ai vend që ju keni ka nevojë për një shëmbëlltyre politike. Ti duhet të jesh e paanshme dhe t’u japësh të gjithëve shansin e barabartë për të folur dhe për t’u mbrojtur. Të mos i konsiderosh ca si të nënës dhe ca si të njerkës. Duhet të drejtosh seancën me një mënyrë parlamentarizmi bashkëkohor”, i është drejtuar ai Topallit.
E duke folur më pas për çështjen e kasave fiskale, ai tha se ka qenë e tepërt ndërhyrja e policisë tek tregu i Medresesë, gjatë protestave të tregtarëve të saj.
Duke e përmendur shitjen e kasave fiskale, si një kauzë të radhës së opozitës, Shalsi tha se gjatë këtij procesi janë bërë manipulime të shumta.
n.e/NOA