English

Akuzat e PS, reagojnë Financat: Proces transparent dhe i liberalizuar

Tiranë, 24 shtator, NOA – Pas akuzave për mostransparencë nga ana e Ministrisë së Financave lidhur me procesin e pajisjes me kasa fiskale, akuza të lëshuara nga deputetja socialiste, Mimi Kodheli, reagon edhe Ministria e Financave që deklaron se ky proces është tërësisht transparent dhe i liberalizuar.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e MF-ve, Eva Simoni, lidhur me akuzat e selisë rozë për monopole apo favorizime në këtë proces, sqaroi opinionin se “informacionet për pajisjen me kasa fiskale kanë qenë gjithmonë publike dhe transparente, të botuara sipas saj në ëebsite-in e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; si dhe përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe udhëzimeve lidhur me procedurat, afatet dhe mënyrën e zbatimit të procesit të pajisjes me kasa fiskale.

Lidhur me liberalizimin e këtij procesi, zëdhënësja Simoni bëri me dije se me VKM nr.722 të datës 1 shtator të këtij viti, është bërë lejimi i plotë për çdo kompani, që të operojë në treg kundrejt kritereve të përcaktuara me ligj.

Simoni theksoi se “asnjë kompani që plotëson kushtet ligjore nuk është refuzuar në këtë proces”.

Zëdhënësja e Financave lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të PS-së, nënvizoi se ministria e Financave i ka thyer përgjigje me shkresë me nr protokolli 8718/1 adresuar sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, ku raportohej në mënyrë të hollësishme për masën e zbatimit të pajisjeve fiskale si dhe gjithë kërkesat e tjera në lidhje me procedurat e këtij procesi.

Në këtë kontekst Ministria e Financave garantoi transparencë për këtë proces ligjor të pajisjes me kasa fiskale të bizneseve, duke theksuar se “kundërshtimi nga ana e kryetarit të opozitës ndaj procesit të pajisjes më kasa të biznesit, përbën dëshminë publike të interesit të tij për të bllokuar konkurencën e lirë në treg, për të ruajtur klientelizmin politik dhe burimet e korrupsionit”.

mit/NOA
KOMENTE