Nju Jork, 24 shtator, NOA – Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, kryeministri Berisha u takua me kryeministrin e Tanzanisë, Mizengo Pinda, me të cilin diskutoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Tanzanisë, në të gjitha fushat me interes reciprok, por në fokus të veçantë ishte forcimi i marrëdhënieve në fushën ekonomike.
Më tej, kryeministri Berisha e njohu bashkëbiseduesin me reformat dhe arritjet e Shqipërisë, zhvillimin ekonomik dhe transformimet e mëdha që ajo ka pësuar gjatë këtyre viteve.
Kryeministri Berisha e ftoi homologun e tij, Mizengo Pinda, për shkëmbime të ndërsjellat mes institucioneve të të dy vendeve, me qëllim sigurimin e një kornize ligjore të plotë për bashkëpunimin dypalësh.
Nga ana e tij, kryeministri i Tanzanisë e njohu kryeministrin Berisha me zhvillimet në vendin e tij, si dhe shprehu interes për forcimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimin e eksperiencave.
Berisha i kërkoi ndër të tjera homologut të tij që Tanzania të shqyrtojë dosjen e Kosovës si një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në dritën e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të pavarësisë së Kosovës.
Dhe kryeministri Mizengo Pinda u shpreh se Tanzania është gjithmonë në favor të paqes dhe stabilitetit, dhe se do ta shqyrtojë kërkesën në brenda një kohe sa më të shkurtër.
n.e/NOA