Diskriminimi pozitiv për të huaj, duke diskriminuar negativisht biznesin e vendit tënd, është një politikë tipike për vende me demokraci të cunguar dhe ekonomi jofunksionale
Nga Arben Malaj Integrimi ekonomik i vendit sjell pasoja pozitive mbi vendet e tjera, të cilat shpesh konkretizohen në cilësinë e legjislacionit, rritjen e performansës së administratës publike, uljen e korrupsionit, e mbi të gjitha, në qartësimin e pronësisë dhe respektimin e të drejtave të saj si të drejta themelore. Kriteret e Maastricht imponojnë rritjen e standardeve të demokracisë, ku e drejta e pronës dhe e votës kanë një rëndësi jetike, imponojnë një ekonomi funksionale, ku ndërhyrja e shtetit në kushtet normale duhet të limitohet, kur konkurrenca duhet të rritet dhe ku përfituesit realë - konsumatorët, do të kenë mundësi më të mëdha për të përzgjedhur cilësinë dhe çmimin e mallrave dhe shërbimeve. Një nga parimet themelore të politikave tregtare midis vendeve të ndryshme është parimi i mosdiskriminimit të biznesit, zbatimi i rregullave të njëjta të hapjes së biznesit dhe politikave të njëjta të taksave e tatimeve, si për biznesin vendës dhe atë të huaj. Zakonisht vende të ndryshme ofrojnë lehtësira për vendet që kanë shkallë të lartë varfërie, për vendet e prekura nga fatkeqësi natyrore dhe për vende ku jostabiliteti politik ushqehet nga varfëria në rritje. Por, ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Investimeve të Huaja janë tërësisht në kundërshtim me këto parime. Pikërisht në momentet kur vendi tenton t'i bashkohet BE-së, ka aplikuar për vend anëtar dhe pret në nëntor vlerësimin për vend kandidat, Qeveria propozon dhe mazhoranca miraton një ligj, që sipas vetë ekspertëve të saj, në thelbin e tij ka diskriminimin pozitiv të biznesit të huaj. Është e qartë që ky diskriminim pozitiv i biznesit të huaj, automatikisht krijon një diskriminim negativ ndaj biznesit vendës. Koncepti “mbrojtje e posaçme shtetërore” nuk është për vende me demokraci të konsoliduar dhe me ekonomi funksionale. Mbrojtja e posaçme shtetërore është tipike për vende ku ka dështuar demokracia institucionale dhe ku liria ekonomike rënkon nga kapja e shtetit, korrupsioni, nepotizmi dhe abuziviteti. Instrumenti ligjor që ka përzgjedhur Qeveria për t’i nxitur investimet e huaja - mbrojtja e posaçme shtetërore - tregon thelbin e problemeve. Edhe sipas Indeksit të Lirisë Ekonomike 2010 (http://www.heritage.org/index/Country/Albania), liria e pronës, liria e gjyqësorit dhe administratës publike nga korrupsioni janë në nivele që konsiderohen liri të shtypura. Sipas këtij raporti, dekurajimi i investimeve e huaja vjen për shkak të infrastrukturës joadekuate, mungesës së besimit tek qeverisja, sundimi i dobët i ligjit, të drejtat e paqarta të pronës, burokracisë joefikase dhe korrupsionit. Dështimi për t’i zgjidhur problemet e pronësisë, dështimi për të reduktuar korrupsionin në gjyqësor, për të reduktuar abuzivitetin e administratës publike, nuk mund të fshihen qoftë edhe përkohësisht me mbrojtjen e posaçme shtetërore. Qeveria është shprehur se kjo mbrojtje do të ofrohet për raste të veçanta dhe për një periudhë të përkohshme. Qeveria qartëson se kjo mbrojtje nuk është një e drejtë ligjore që u njihet investitorëve të huaj, por një privilegj që mund të afrohet nga Këshilli i Ministrave. Me këto ndryshime rritet e drejta e shpronësimit edhe për aktivitete private biznesi. Në fakt, e drejta e pronës është e drejtë themelore, ajo mund të cenohet për raste të interesit publik, të cilat janë shumë të kufizuara. Me mbrojtjen e posaçme, Qeveria del mbi gjyqësorin, cenon rëndë ndarjen dhe balancën e pushteteve. Ajo merr atributet e mosrespektimit të vendimeve të gjykatës në një konflikt pronësie, për më tepër, edhe shpenzimet që i ngarkohen humbësit të gjyqit, që mund të jetë edhe një investitor i huaj, do të paguhen nga Qeveria. Investimet e huaja janë të domosdoshme për të mbështetur modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe rritjen e produktivitetit të saj. Eksperiencat ndërkombëtare të thithjes së investimeve të huaja me iniciativa të posaçme dhe të përkohshme kanë rezultuar jo të suksesshme. Ato kanë vepruar përkohësisht vetëm për periudhat e përfitimeve përjashtimore dhe janë zhvendosur sa herë që kanë pasur oferta me joshëse. Strategjitë kombëtare të rritjes së tyre në ekonominë shqiptare nuk duhet të bazohen tek projektet "Shqipëria 1 euro", apo tek "Mbrojtjet e posaçme shtetërore", por tek garantimi i ndarjes së pushteteve, tek garantimi i së drejtës së pronës. Investitorët e huaj duhet të mbrohen nga kapja e shtetit, të mbrohen nga korrupsioni në rritje dhe nga abuziviteti i administratës fiskale. Ky ligj nuk do të arrijë të nxitë dhe rritë investimet e huaja në vend, ai vetëm rrit abuzivitetin e Qeverisë në ekonomi, duke e përkeqësuar akoma më shumë ambientin e biznesit. Trajtimi i barabartë i biznesit vendës dhe të huaj është detyrimi i Qeverisë dhe Parlamentit të çdo vendi. Diskriminimi pozitiv për të huaj, duke diskriminuar negativisht biznesin e vendit tënd, është një politikë tipike për vende me demokraci të cunguar dhe ekonomi jofunksionale. Në BE nuk do të shkojmë duke diskriminuar pozitivisht kompanitë e vendeve të tyre, por duke plotësuar kriteret e Maastricht’it në fushën e demokracisë, ekonomisë dhe sigurisë.