Tiranë, 24 shtator, NOA - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ëashington dhe Zyrën e Emigracionit dhe doganave ICE kanë ekstraduar nga Nju Jorku 41 vjeçarin Lekë Ndre Suka, nga fshati Gjuraj i Shkodrës, 16 vjet pas vrasjes me dashje të motrës dhe bashkëjetuesin e saj në Shkodër.
Policia e Shtetit bën me dije se Lekë Suka dhe i vëllai i tij, Pëllumb Suka më 13.02.1994, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Gjon Mici, dhe motrës së tyre, Gjelina Lulashi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi në mesditën e 13 shkurtit të vitit 1994 në fshatin “Boriç i Vogël”, të Malësisë së Madhe, në Shkodër, ndërsa dy viktimat po ktheheshin nga një vizitë tek një i njohur i tyre.
Shtetasit Lekë dhe Pëllumb Suka, të cilët i kanë zënë pritë dy viktimave, kanë qëlluar në drejtim të tyre me armë zjarri.
Viktima Gjon Mici, i cili ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, kishte disa muaj që bashkëjetonte me motrën e autorëve të krimit, viktimën, Gjelina Lulashi, së cilës Gjoni, i kishte premtuar se do të divorcohej me bashkëshorten e do të martohej me të.
Ky fakt nuk është pranuar nga të dy familjet dhe çdo tentativë e tyre për t’u pajtuar ka dështuar.
Pas ngjarjes në fjalë shtetasi Lekë Suka u dënua me 16 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës për kryerjen e veprës penale të vrasjes me dashje në bashkëpunim.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Ëashington, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Lekë Suka.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
mit/NOA