English

Ndërsa opozita lajmëron protesta, mazhoranca do të nisë zbardhjen e “Masakrës së e Tivarit”

Tiranë, 24 shtator, NOA – I ngritur pas akuzave direkte të lëshuara nga kryeministri Sali Berisha për përfshirjen direkte të ish Presidentit komunist Ramiz Alia në masakrën e Tivarit të ndodhur në vitin 1945 ndaj rekrutëve kosovarë, komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur nga Partia Demokratike për “Masakrën e Tivarit” ka vendosur në mbledhjen e sotme të Byrosë parlamentare të hetojë për zbardhjen e Masakrës së Tivarit të ndodhur ndaj rekrutëve kosovarë në vitin 1945.

Vetë kryeministri Berisha deklaroi para disa muajsh se Ramiz Alia duhet të japë llogari mbi atë, që ka ndodhur 65 vjet më parë, ku sipas tij, ai mban përgjegjësi direkte për vrasjen e shumë shqiptarëve të Kosovës në Tivar.

Sipas deputetëve të këtij komisioni “Hapat procedurale të hetimit do të synojnë zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe përgjegjësive të individëve, për vrasjet masive të rekrutëve Kosovarë, të cilët në Mars të 1945 kaluan në territorin e Republikës së Shqipërisë për tu dërguar në Tivar.

Hetimi pohojnë deputetët e PD-së, do të synojë edhe gjetjen e ideatorëve, ekzekutorëve dhe bashkëpunëtorëve në këtë masakër.

Kryetari i komisionit, Fatos Beja bëri të ditur se puna e komisionit do të fokusohet në hetimin e ngjarjeve që paraprinë masakrën e Tivarit dhe roli i individëve të përfshirë në secilën prej tyre, ku në fokus do të jetë nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale e personave, që me veprimet apo mosveprimet e tyre lejuan dhe ndihmuan në kryerjen e kësaj masakre.

Në mënyrë të veçantë, anëtarët e komisionit do të bëjnë hetimin e fakteve dhe dokumentacionit, për qëndrimin e mbajtur nga shteti shqiptar në periudhën e ngjarjeve pas 31 Marsit 1945, si dhe roli i strukturave shtetërore dhe individëve të kohës në raport me të.

Krahas materialeve të dokumentuara, komisioni do të zhvillojë edhe seanca dëgjimore me dëshmitarë të ngjarjeve.

Në këtë kuadër, komisioni do të thërrasë persona të cilët mund të kenë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve, por edhe persona, të cilët në mënyrë të tërthortë janë vënë në dijeni të këtyre ngjarjeve.

Gjithashtu, do të thirren në mbledhjet e komisionit edhe persona, të cilët për shkak të funksioneve të tyre zyrtare duhet të ishin apo janë në dijeni të ngjarjeve, objekt hetimi. Ndërkohë që veprimet hetimore që do të ndërmerren, për prova dokumentare do të jenë mbledhja e informacioneve, nëpërmjet hetimit të fakteve dhe dëshmive të kohës.

Është e kuptueshme se ndër këta dëshmitarë, i pari që do të thirret nga komisioni hetimor, do të jetë Ramiz Alia, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për genocid, të cilat duhet t’i vërtetojë për mosekzistencë.

Anëtarët e komisionit do të fokusojnë punën e tyre përmes hetimit në Arkivin Qendror të Shtetit, në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme si dhe arkiva të tjera të mundshme, për fakte të reja që mund të dalin nga këto arkiva.

Anëtarët e komisionit ftuan deputetët e opozitës, të cilët nuk ishin të pranishëm në mbledhje, të bëhen pjesë e këtij komisioni duke dhënë kontributin e tyre në zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe përgjegjësve të një prej masakrave më të rënda të kombit shqiptar. Ndërkohë, mungesa e opozitës në këtë komision është justifikuar me idenë se kjo çështje nuk i takon detyrimisht shtetit shqiptar, por atij të Kosovës.

Madje, vetë kreu i Grupit Kuvendor të, PS-së, pak kohë më parë deklaroi se hetimi i masakrës së Tivarit, i ideuar nga kryeministri Sali Berisha po realizohet vetëm për shkak të heqjes së vëmendjes së opinionit publik nga kriza poltike në vend dhe ajo ekonomike e institucionale, në të cilën sipas opozitës është zhytur vendi pas vjedhjes së votave të 28 qershorit.

mit/NOA
KOMENTE