English

Nikolaus Lambsdorff: BE, perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor

Berlin, 24 shtator, NOA - I ngarkuari i ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore, Nikolaus Graf Lambsdorff, në intervistë për Deutsche Welle-n, pohon se sot stabilizimi i Ballkanit Perëndimor nënkupton demokratizim dhe përparim ekonomik.

“Gjermania ka qenë për perspektivën e BE-së. Kjo perspektivë ekziston qysh prej vitit 2003 dhe është dëshmuar si e drejtë, sepse ne e shohim efektin joshës që ka BE-ja në Ballkan. Natyrisht që ka shumë mangësi, por po të hedhim një vështrim prapa në Ballkan, në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri ka shumë arritje”, thotë ai.

Në vitin 2003 në Selanik u dha premtimi, që të gjithë shtetet e Ballkanit kanë një perspektivë në BE, ndërsa tashmë në Bruksel gjithnjë e më shpesh dëgjohet të thuhet, se Kroacia mund të bëhet shpejt anëtare, por për të gjitha vendet e tjera të rajonit anëtarësimi mund të shtyhet në një të ardhme të largët. Sipas mendimit tuaj sa i madh është shansi që brenda një periudhe relativisht të afërt kohore këto vende të anëtarësohen në BE?

Eshtë e vërtetë në vitin 2003 në Selanik u dha një premtim: të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor kanë perspektivën evropiane. Eshtë e vërtetë që sipas të gjitha gjasave Kroacia do të bëhet anëtarja e 28 e BE-së. Por ne jemi shumë të kujdesshëm sa i përket përmendjes së datave konkrete, madje edhe për vendin kandidat për anëtarësim, siç është Kroacia, ndonëse anëtarësimi i saj do të realizohet brenda një periudhë të afërt. Sa u përket shteteve të tjera të Ballkanit perëndimor, natyrisht që secili shtet do të vlerësohet më vete, por nuk ka asnjë ndryshim lidhur me atë që të gjitha këto vende kanë një perspektivë në BE. Në këtë drejtim as ka ndryshuar dhe as nuk do të ndryshojë gjë. Përkundrazi unë besoj, se BE-ja dhe vende të rëndësishme anëtare të BE-së në të ardhmen sërish do të kujdesen edhe më shumë për këto vende.

Si i mbështet politika gjermane këto procese antarësimi, nisur nga fakti që vendet, të cilat synojnë tani anëtarësimin në BE kanë shpejtësi të ndryshme zhvillimi?

Gjermania ka qenë për perspektivën e BE-së. Kjo perspektivë ekziston qysh prej vitit 2003 dhe është dëshmuar si e drejtë, sepse ne e shohim efektin joshës që ka BE-ja në Ballkan. Natyrisht që ka shumë mangësi, por po të hedhim një vështrim prapa në Ballkan, në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri ka shumë arritje. Ne ende flasim për stabilizimin e Ballkanit: çfarë do të thotë kjo? Përpara dhjetë dymbëdhjetë vjetësh ne deshëm të sigurohemi që nuk do të ketë më luftë, pas luftërave të nisura nga Millosheviçi. Sot kjo nuk është më në rend të ditës. Sot stablizimi nënkupton shumë aspekte të tjera, demokratizim, përparim ekonomik. Ajo që nuk ka ndryshuar është angazhimi evropian dhe angazhimi gjerman, e kam fjalën për mbështetjen financiare me shuma të konsiderueshme.

Vendet në Ballkan ndonëse sot nuk luftojnë më kundër njëri-tjetrit, ato sikur e pengojnë njëri-tjetrin në rrugën drejt BE-së: le të kujtojmë veton greke kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, apo edhe grindjen për emrin. Gjatë vizitës së fundit në vendet e Ballkanit perëndimor ministri i Jashtëm Guido Westerwelle nuk shkoi në Maqedoni. Si rrjedhojë atje është krijuar përshtypja sikur qeveria gjermane është mjaft e tërhequr në zgjidhjen e konflikteve rajonale. Eshtë kjo e vërtetë, apo kemi të bëjmë me një përshtypje të gabuar?

Unë besoj që kjo përshtypje është e gabuar: Si qeveria gjermane, ashtu edhe Bundestagu (parlamenti gjerman) kanë një interes aktiv dhe të qëndrueshëm, që ne të mos importojmë në BE konflikte bilaterale. Kujdto i shkon menjëherë në mendje shembulli i konfliktit mes Sllovenisë dhe Kroacisë, që tashmë u zgjidh paqësisht dhe të dyja palët janë të kënaqura. Por faktikisht tani secili vend kandidat për anëtarësim duhet të vërtetojë që konfliktet bilaterale ose i ka zgjidhur në mënyrë paqësore, ose që ekziston një rrugë e qartë dhe e pranueshme zgjidhjeje. BE-ja nuk do të importojë brenda vetes konfliktet që ekzistojnë midis vendeve në Ballkan. Sigurisht që në raste të veçanta kjo nuk do të jetë gjithmonë e lehtë, por ndërkohë të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor e kanë kuptuar këtë. Ka një sërë rastesh, si p.sh. Serbia dhe Kroacia tashmë kanë filluar të përpiqen për t' i zgjidhur të tilla konflikte, ose ka gatishmëri që të ndihmohen fqinjët, për t' i zgjidhur konfliktet me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e një vendi të tretë.

Vitin e ardhshëm pritet që Rumania dhe Bullgaria të anëtarësohen në Marrëveshjen e Shengenit. Në këtë kontekst në këto vende shtrohet pyetja nëse ka nga ana e BE-së instrumenta evaluimi për të verifikuar se sa të përgatitura janë këto vende për t' iu bashkuar hapësirës Shengen. Çështjet që shtrohen janë: si qëndron puna me kontrollet kufitare, sa të sigurta janë dokumentat e udhëtimit prej falsifikimeve të mundshme, si qëndron puna me mbrojtjen e sekretit të të dhënave. A ka në Bruksel instrumenta të tilla evaluimi?

Eshtë mëse e qartë që kjo është një temë. Madje kjo është një temë, jo vetëm për Rumaninë e Bullgarinë, që janë në prag të anëtarësimit në Marrëveshjen Shengen, por edhe për të gjithë vendet kandidate për anëtarësim në Ballkanin perëndimor. Kapitulli i BE-së për bisedimet e anëtarësimit, kur shtrohen çështje të tilla si reforma e sistemit të drejtësisë, lufta kundër kriminalitetit të organizuar e të tjera aspekte të ngjashme ka fituar një peshë të jashtëzakonshme. Ndërkohë Kroacia po e përjeton këtë, sepse janë duke u zhvilluar bisedimet pikërisht në këtë kapitull. E Natyrisht që ky është edhe mësimi që ne kemi nxjerrë nga anëtarësimi i Bullgarisë dhe i Rumanisë. Por puna në këtë drejtim vazhdon edhe pas anëtarësimit në BE. Jam i sigurt dhe e di që kjo çështje i intereson veçanërisht ministrit tonë të Brendshëm, ashtu si edhe të gjithë ministrave të brendshëm të vendeve të tjera të BE-së, të cilët aktualisht në rastin e Bullgarisë dhe të Rumanisë janë duke u kujdesur në mënyrë aktive në këtë drejtim. Gjithashtu edhe Komisioni i BE-së merret me këtë çështje dhe do të vazhdojë të merret me të.

Deutsche Welle

KOMENTE