Athinë, 25 Shtator 2010 NOA – Një e re greke nga Preveza rezulton e zhdukur në rrethana të mistershme dhe kërkimet për të nuk po reshtin, por dyshimet më të fundit janë se ajo është rrëmbyer dhe dërguar në Shqipëri.
Denoncimi u bë nga i fejuari i 26-vjeçares Anxhela Peponi nga Preveza. Ai deklaroi se ka arritur të marrë vesh se e fejuara e tij është rrëmbyer dhe mbahet nga persona që nuk është i qartë se kush janë, në Shqipëri. Madje 30-vjeçari detajoi se Anxhela sipas tij mbahet e izoluar prej tre muajsh në veri të Shqipërisë.
Policia greke ka pohuar se në funksion të gjetjes së 26-vjeçares po i shtrin kërkimet gjerësisht dhe për denoncimin më të fundit se Anxhela gjendet në veri të Shqipërisë, ka vendosur të kërkojë ndihmën e policisë shqiptare.
Anxhela Peponi, u zhduk në rrethana misterioze mëngjesin e 17 qershorit 2010 fare afër banesës së saj në Prevezë, zonë kufitare me Shqipërinë.
Nëna e të resë denoncoi zhdukjen e vajzës dhe shumë kërkime janë bërë që atëherë por ende asnjë gjë e saktë nuk dihet për fatin e saj nëse jeton ose jo.
Policia i druhet një vrasjeje të 26-vjeçares, pasi skema e zhdukjes së saj, përkon shumë me atë që u përdor në rrëmbimin dhe zhdukjen e mistershme në vitin 2009, të 25-vjeçares po nga Preveza Efi Faturu që shihni në këtë foto.
E ndjera ishte një notare profesioniste dhe u rrëmbye thuajse në të njëjtat rrethana, por pak kohë pas zhdukjes u gjet e vdekur. Për ngjarjen u arrestuan disa persona por asnjë nuk mbeti në burg, për mungesë provash.
n.s/e.r/NOA