Fier, 24 shtator, NOA - Në kuadër të operacionit “Vjeshta”, forcat e policisë së Fierit kanë mundur të arrestojnë në flagrancë dy persona, të dyshuar se ushtronin trafik të klandestinëve drejt tokës greke, duke përfituar shuma të konsiderueshme eurosh për secilin prej tyre.
Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA duke saktësuar se të ndaluarit janë përkatësisht Emiljano Nazeraj, 22 vjeç, banues në fshatin Vreshtas të Fierit dhe bashkëmoshatari i tij, Martin Shehaj, banues në qytetin e Sarandës.
Ndalimi i tyre u bë pas një hetimi 6-mujor nga strukturat e policisë, të cilat identifikuan sesi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dy të lartpërmendurit shoqëronin në kufirin e gjelbër Qafë Botë-Sarandë persona të ndryshëm për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe pa dokumentacion të rregullt në drejtim të shtetit grek.
Mësohet se një aksion të tillë ata e bënin kundrejt pagesave 600 deri në 800 euro.
Materialet do t’i referohen prokurorisë së Fierit për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.
n.e/NOA