English

Pasqyra e Shtypit, 24 Shtator 2010

Tiranë, 24 Shtator, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 24 Shtator 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme akuzat e hedhura nga ish-ministri Prifti për zv/drejtorin e Policisë, Kuliqi, se merret me kontrabandë nafte. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i tryezës së opozitës së mbledhur dje, ku është vendosur rinisja e protestave gjatë muajit tetor. Gazetat paraqesin edhe kuotat e lira në universitete, faza e dytë e regjistrimeve.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Prifti: Policia bën kontrabandë nafte”, i cili citon një intervistë të dhënë nga ish-ministri Dritan Prifti ku akuzon direkt për kontrabandë zv/drejtorin e policisë, Kuliqi.

Një artikull tjetër i kësaj gazete me këtë argument është dhe ai me titullin “Marrëdhëniet e mia me Metën dhe LSI-në: Me Metën po rikrijojmë sërish marrëdhënie bashkëpunimi”.

“Faza II, 3536 vende të lira në universitete”, është artikulli referuar listave me kuotat bosh në universitete, faza e dytë e regjistrimeve.

“Një shtetas i huaj i implikuar në vjedhjen e bankës me tunel”, është një artikull që citon detaje nga gatitja për grabitje spektakolare të bankës “San Paolo Intesa” në Tiranë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Rrëfehet Prifti/ Meta do servilët, ja kulisat e shkarkimit”, i cili tregon detaje nga intervista e dhënë prej ish-ministrit Dritan Prifti ku sqarohen prapaskenat e shkarkimit të tij.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Të shtunën shpallen fituesit, universitetet me rreth 4 mijë vende bosh”.

Ndërkaq, lidhur me ligjin e pronave, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Zbardhet procesverbali, Kuvendi votoi dy herë kundër dekretit të Topit, PS denoncon Topallin”.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Opozita: Protestat, do të rinisin në tetor”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Guma, mesha e të 40-ave/ Prifti grek: Vdiq si hero i krishtërimit”, i cili tregon detaje nga ceremonia mortore e të 40-ave të Aristotel Gumës, himariotit të aksidentuar rreth një muaj më parë.

“Procesverbali i manipulimit të votimit për dekretin e Topit”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili u referohet debateve të djeshme në seancë plenare.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Dossier/ Debati Kadare-Adil Çarçani”.

“Ish-ministri Prifti: Kuliqi merret me kontrabandë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë, referuar intervistës së dhënë nga ish-ministri Dritan Prifti.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Prifti: Kërcënimi im nis te Belegu”, i cili tregon gjithashtu akuzat e bëra nga ish-ministri Dritan Prifti, gjatë një interviste.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Rama me aleatët, zyrtarizon koalicionin anti-Berisha, protesta në tetor”.

Ndërsa çështja e Hamallajt, mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Hamallaj, banorët sërish në protestë”.

“Qeveria, kontratë të re me Stream Oil” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Berisha takon Papandreun: Nuk ka krisje me Greqinë”, i cili i referohet takimit të zhvilluar dje në Nju Jork, në kuadrin e Asamblesë së OKB-së, mes kryeministrit grek dhe atij shqiptar.

Ndërsa në rubrikën “opinion” do të lexoni “Nga Frrok Çupi/ Disa njerëzve u pëlqen varfëria”.

n.e/NOA

KOMENTE