English

PS: Bode fshehu informacionin për kasat për t’u garantuar përfitime disa “individëve”

Tiranë, 24 shtator, NOA – Sikundër paralajmëroi një ditë më parë lideri i opozitës, Edi Rama se PS, do të nisë transparencën e aferës korruptive të Ministrisë së Financave lidhur me vendosjen e kasave ndaj bizneseve, në emër të selisë rozë nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli ka denoncuar sot në një konferencë për shtyp se ministria e Financave ka fshehur informacionin e kërkuar prej 17 ditësh nga grupi i transparencës së PS-së, pikërisht me qëllimin për t’i garantuar përfitime maksimale individëve të caktuar.

Duke deklaruar se afatet ligjore për kthimin e një përgjigjeje për kërkesat e PS-së, deputetja Mimi Kodheli i drejtoi disa pyetje ministrit të Financave, që sipas të gjitha gjasave dëshmojnë praktikën e pastër korruptive të ndjekur nga MF-ja lidhur me çështjen në fjalë.

Deputetja socialiste i kërkoi ministrit Bode të shpjegojë fshehjen e informacioneve që kërkon vetë ligji mbi këtë aferë, si arsyet që çuan zotin Bode të dilte publikisht dhe të gënjente lidhur me implementimin e saj.

Zonja Kodheli duke i drejtuar pyetje ministrit Bode, evidentoi se ministri po favorizon individë të caktuar përmes këtyre veprimeve kryekëput arbitrare e korruptive.

Ajo theksoi në këtë kontekst edhe gjobitjen me 1 milion lekë, për çdo biznes, që me të drejtë ka kundërshtuar urdhrat e nxjerra mga Ministria e Financave, pasi ato shkojnë kundër interesave të biznesit, duke favorizuar vetëm interesat e personave, pranë ministrit Ridvan Bode.

Pas disponimit të dosjes së procesit të shitjes së kasave fiskale, Partia Socialiste bëri publike edhe kërkesat e drejtuara ndaj ministrisë së Financave sa i përket marrjes së një informacioni të detajuar mbi procesin e pajisjes së biznesit me kasa fiskale, shtrirjen e këtij procesi në kategoritë e biznesit si edhe në bazë qarku; informacion të detajuar mbi kompanitë e licensuara për shitjen dhe vendosjen e kasave fiskale; informacion të detajuar mbi modelet, çmimet e shitjes dhe shërbimit të vendosjes së kasave fiskale.

Sipas deputetes socialiste, Mimi Kodheli mospërgjigjja e ministrit Bode brenda 15 ditësh nga paraqitja e kërkesës së PS-së, dëshmon korrupsionin lidhur me pajisjen me kasa fiskale të biznesit, elementët korruptivë të së cilës Partia Socialiste do t’i bëjë publike dita ditës.

Ndërsa kohët e fundit deputeti Eduard Shalsi bëri transparencën e përditshme lidhur me privatizimin e ish ekspozitës “Shqipëria Sot” duke akuzuar aferën korruptive të ish ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli dhe personave të afërt të kryeministrit Berisha, duket se tashmë do të jetë deputetja Mimi Kodheli që do të bëjë transparencën lidhur me aferën sipas PS-së korruptive të vendosjes së pajisjeve elektronike për bizneset.

mit/NOA
KOMENTE