Tiranë, 24 shtator, NOA – Pas deklaratës së liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta lidhur me deklaratat e ish ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla që tha se koalicioni mes Sali Berishës dhe Ilir Metës është një koalicion pazaresh.
Nga selia rozë, deputeti socialist deklaroi se qëndrimet e kundërta mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës janë të parëndësishme, por ajo çka është e qartë për të gjithë është paqëndrueshmëria e Ilir Metës.
“Ajo që është e qartë si drita e diellit është se koalicioni PD-LSI është koalicion pazaresh, është një koalicion jo vetëm i korruptuar por edhe tërësisht i falimentuar”, nënvizoi deputeti socialist.
Zoti Balla theksoi se “ky pazar politik po grabit pasurinë e shqiptarëve dhe po na bën edhe më të vendosur për të kërkuar largimin e qeverisë për t’i shërbyer interesit të qytetarëve dhe transparencës së situatës”.
Ndërkohë, deputeti Balla kërkoi që Ilir Meta dhe Sali Berisha të japin llogari përpara shqiptarëve për akuzat e rënda të lëshuara së fundmi nga ish ministri Dritan Prifti.
Deputeti Taulant Balla përmendi një nga akuzat më të forta, të ish ministrit Prifti, i cili akuzoi zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit, Arian Kuliçi, ish bodiguard i kryeministrit Sali Berisha, se drejton një rrjet kriminal.
Lidhur me këtë akuzë deputeti socialist Balla kërkoi që Prokuroria të nisë hetimet për zbardhjen e saj.
mit/NOA