English

Samiti, Tirana mbledh bashkiakët e 32 qyteteve ballkanike

Tiranë, 24 shtator, NOA Update - Bashkia e Tiranës organizuar Samitin e 11 të qyteteve anëtare të BALCINET (Rrjeti i Qyteteve Kryesore të Ballkanit), ku ishin të pranishëm së përfaqësues të lartë të bashkive të 32 qyteteve ballkanike, anëtarë të këtij rrjeti.

Në hapje të Samitit, kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, duke shprehur kënaqësinë e veçantë për organizimin e këtij takimi dhe duke theksuar “kjo nismë në një dekadë ka shërbyer për të shkëmbyer eksperienca, këndvështrime, shqetësime, për të gjetur hapësirën e përbashkët lidhur me trajtimin e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e përgjithshëm të vendeve tona dhe me perspektivën e qyteteve tona”.

“Dhe ne mblidhemi këtu në Tiranë, besoj për të theksuar edhe njëherë se perspektiva jonë europiane është edhe sfida jonë e përbashkët. E ardhma jonë europiane është edhe qëllimi ynë i përbashkët e mbi të gjitha modernizimi i qyteteve tona dhe krijimi në qytetet tona i atyre standarteve që shumë prej qytetarëve tanë ëndërrojnë t’i kenë këtu, pa qenë nevoja të lëvizin dhe të migrojnë gjetkë, janë të gjitha arsyet e qenësishme të pranisë sonë në këtë rol, por edhe sot në këtë tryezë”, u shpreh ai.

Duke shtuar se nuk ka asnjë dyshim se kjo është edhe sfida e madhe e Shqipërisë, si pjesë e Europës dhe në të njëjtën kohë, si një vend që për shkaqe historike dhe jo vetëm, e ka pasur gjer më sot larg Europën, të gjithë jemi të lumtur për faktin se së paku në kuptimin e lëvizjes së lirë, tashmë Shqipëria është fare në prag të kapërcimit të kufijve të saj pa viza. Ky është një fakt që më në fund, pas vitesh të tëra, të pranisë në jetën e shqiptarëve si një aspiratë, sot është një realitet, falë vizionit, konceptit tërësisht të transformuar të vetë Europës, të mënyrës se si duhet të integrojë brenda saj të gjithë popujt dhe të gjithë qytetarët, pavarësisht procesit të integrimit dhe ritmeve të veta.

“Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe sigurisht që përfaqëson në mënyrë shembullore qoftë sfidën që ne kemi për t’u përballur me gjithçka duhe të lëmë pas nga e shkuara dhe njëkohësisht duhet të transformojmë në funksion të së ardhmes, qoftë dhe çka duhet të përballemi në jetën tonë të përditshme, si një përpjekje të vazhdueshme për t’u dhënë qytetarëve tanë kushte e shërbime më të mira. Tirana është një qytet që ka hyrë vonë në përpjekjen për t’u urbanizuar, brenda kuptimit europian të këtij procesi dhe sigurisht ka kaluar një traumë të mirëfilltë gjatë periudhës 50-vjeçare të diktaturës, ku urbanizmi e arkitektura u konceptuan dhe u përdorën në funksion të modelit të një shoqërie që e mallkonte dhe dhunonte individualitetin, duke i dhënë prioritet kolektivitetit dhe duke i dhënë vend ku të mundej uniformitetit”, tha ai.

Sipas tij, kjo ka bërë që qyteti që ne trashëguam në kohën e ndryshimit të madh, të ishte një qytet i hirtë; të ishte një qytet përgjithësisht i uniformizuar; të ishte një qytet i papërgatitur për sfidën e madhe që solli ndryshimi dhe për lëvizjen e jashtëzakonshme demografike brenda vendit që solli në Tiranë një rritje eksponenciale të popullsisë.

Nga ana tjetër, ai tha se rënia e një shteti dhe mungesa e një shteti të ri, të gatshëm për ta përballuar këtë lëvizje demografike bëri që në vitet ’90, Tirana të përballej me një transformim dramatik, i cili solli plagë të mëdha në pikëpamje të urbanizmit dhe krijoi probleme të rënda në pikëpamje të bashkëjetesës publike.

Kësisoj, Rama tha se e gjithë sfida e 10-vjeçarit të fundit që përkon edhe me këtë nismë, ka qenë dhe mbetet kthimi i Tiranës në një metropol të të gjithë shqiptarëve, duke shëruar qoftë plagët e rënda të vitit ’90 në pikëpamje të kaosit urbanistik dhe të cenimit të hapësirës publike, qoftë edhe çka e shkuara na ka lënë, në trajtën e zhvillimeve uniforme dhe shpeshherë të papërshtatshme, jo vetëm nga pikëpamja arkitektonike, por edhe e funksionalitetit në jetën e përditshme.

Në fund, ai shtoi se “jemi krenarë sepse në këto 10 vjet, pasi e kemi kthyer Tiranën në lokomotivë që ka transformuar rrënjësisht mënyrën e të parit jo vetëm të vetvetes, por në tërësi edhe të tërë vendit, që është bërë nga njëra anë shembulli i shpresës dhe besimit se një jetë e standardeve të Europës ku duam të integrohemi, është e mundur në qytetin dhe vendin tonë dhe nga ana tjetër një lajm i mirë nga Shqipëria për të gjithë ata që Shqipërinë u mësuan ta shihnin gjatë viteve ’90, përmes një stereotipi i cili dëmtoi dhe pengoi shumë bashkëqytetarët tanë që u larguan prej vendit, në përpjekjen për t’u integruar në vendet e Bashkimit Europian”.

Mbajtja e këtij samiti sipas tij, synon forcimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve pjesëmarrëse, duke shkëmbyer eksperienca e ide dhe duke diskutuar mënyra të reja të suksesshme për zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet.

“BALCINET” është themeluar në vitin 2000, me iniciativën e kryetarit të Bashkisë së Selanikut dhe me pjesëmarrjen e 32 qyteteve anëtare nga 8 shtete të Ballkanit, 8 prej të cilave janë kryeqytetet e këtyre shteteve. Qytetet anëtare nga Shqipëria janë Tirana, Korça dhe Gjirokastra, të përfaqësuara nga bashkitë respektive.

Rrjeti u krijua me qëllim, vendosjen e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet qyteteve të Ballkanit, nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve dhe iniciativave të përbashkëta në fusha të ndryshme si ekonomia, mjedisi, kultura, planifikimi urban, transporti, punësimi, infrastruktura, arsimi, shëndeti, energjia etj.

n.e/NOA

KOMENTE