English

Topi thirrje në OKB: Njihni pavarësinë e Kosovës!

Nju Jork, 24 Shtator, NOA – “Roli i OKB-së mbetet i fuqishëm, koherent dhe i pazëvendësueshëm në qendër të një dinamizmi global efektiv. Ai duhet të forcohet, duhet të mbështetet në sfidat e tij për një bashkëpunim ndërkombëtar të hapur, për një paqe dhe siguri të qëndrueshme, për një zhvillim të pandalshëm dhe për një standard të respektit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.

Kështu ka deklaruar presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë fjalës në punimet e Sesionit të 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në prani të kryetarëve të shteteve dhe të delegacioneve, si dhe të personalitetet të larta të politikës botërore pjesëmarrës në Sesionin e 65-të të AP-së, Topi u bëri thirrje homologëve, vendet e të cilëve akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin atë, duke i siguruar se kjo është mënyra e vetme për t’i kontribuar stabilitet afatgjatë dhe paqes jo vetëm rajonale por edhe globale.

“Ne mbështesim dialogun e sinqertë e konstruktiv, për zgjidhjen e çështjeve praktike, në dobi të interesave të përditshme të qytetarëve të tyre, për t’i ndihmuar ata por edhe për të lehtësuar pse jo, qetësuar minoritetet përkatëse, shqiptare dhe serbe se tashmë do të marrë rrugë zgjidhja e problemeve dhe çështjeve të përfaqësimit, të gjuhës, shkollimit apo të tjera nën frymën dhe vizionin e të ardhmes së përbashkët evropiane”, - theksoi Presidenti i Republikës. Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Topi nënvizoi faktin që vendi ynë, pas miratimit të Deklaratës së Mijëvjeçarit një dekadë më parë, po dëshmon progres drejt arritjes së Objektivave të Mijëvjeçarit në të gjitha fushat dhe treguesit saj dhe vazhdon t’u kushtojë rëndësi të madhe çështjeve të zhvillimit duke fuqizuar përpjekjet nëpërmjet integrimit të tyre në strategjinë e zhvillimit kombëtar.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës rikonfirmoi se “integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën një përparësi të politikës sonë të jashtme ku si rrallë herë ka një konsensus të gjerë politik dhe social.

“Hapat e rëndësishëm që Shqipëria ka hedhur drejt BE-së dhe fazat e saj të bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit po rezultojnë premtues”, - u shpreh Presidenti Topi duke theksuar se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian është një proces i rëndësishëm edhe rajonal, dhe i pandashëm nga integrimi i plotë i rajonit”. n.e/NOA

KOMENTE