Tiranë, 25 shtator, NOA – Anëtarja e Asamblesë së Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa, ka reaguar sot ndaj deklaratës së deputetit demokrat Genti Strazimiri, duke pohuar se nuk ka më shqiptar që ta besojë se votat e 28 qershorit nuk u vodhën.
“Duke parë lepujt e oborrit të pushtetit që dalin çdo ditë për të kënduar avazin bajat të lejeve të ndërtimit, çdo shqiptar i arsyeshëm kupton se pa larguar qeverinë e ujqve të korrupsionit, s’ka hajër Shqipëria”, tha ajo.
E duke iu drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetit Strazimiri, tha se “ky zotëria
Strazimiri, do të ishte mirë të thoshte se çfarë di lidhur me Agron Kuliqin, zëvendës drejtor policie, e ish-truproja e Sali Berishës, që vetë një ministër i Sali Berishës e ka quajtur kontrabandist!”.
“Po zoti Strazimiri nuk ka gojë, po veç shiritin e avazit të vjetër të shpifjeve për Edi Ramën, që Sali Berisha u ka futur në fyt të tërë lepujve të oborrit të tij. Shqipëria është neveritur me këta ujq e lepuj të pushtetit të vjedhjes që shqiptarët do ta largojnë me çdo kusht për të shpëtuar të ardhmen e tyre”, përfundoi Ajtyresa deklaratën e saj.
n.e/NOA