Nju Jork, 25 shtator, NOA – Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, i shprehu homologut të tij nga Hondurasi, Canahuati, gjatë një takimi të përbshkët në Nju Jork, falenderimet për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga qeveria e vendit të tij.
Ai e ja cilësuar atë si një njohje mjaft simbolike dhe që ndodhi në një moment mjaft të rëndësishëm pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Nga ana e tij, ministri Canahuati u shpreh se kjo njohje do të vijojë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe të bashkëpunimit me Kosovën si dhe me mbrojtjen e çështjes së Kosovës në Amerikën Latine.
Më pas, të dy ministrat shkëmbyen mendime lidhur me zhvillimet politike në të dy rajonet si dhe progresin e bërë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në vendet tona.
Haxhinasto dhe Canahuati ranë dakord se duhet të shfrytëzohet hapësira e mundshme për thellimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Hondurasit duke u ndalur veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik.
Me këtë rast, të dy ministrat të shoqëruar dhe nga ambasadorët e tyre në OKB, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive të Punëve të Jashtme për zhvillimin e konsultimeve politike mbi çështje të interesit të ndërsjella.
Në fund të takimit, Haxhinasto e ftoi homologun e tij Canahuati për një vizitë në Shqipëri, ftesë kjo që u pranua me kënaqësi.
n.e/NOA